Sot vazhdon seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës

07:38 | 10 Gusht 2017
Arbresh.info

Sot vazhdon seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës me të vetmen pikë të rendit të ditës “Zgjedhja e Kryetarit të Kuvendit dhe nënkryetarëve të Kuvendit”, shkruan arbresh.info.

Pjesëmarrjen në këtë seancë e kanë konfirmuar deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe koalicionit LDK-AKR, por nuk dihet nëse edhe minoritetet do të jenë aty.

Një ditë më parë, në takimin konsultativ, deputetët minoritarë e shihnin të panevojshme mbajtjen e seancës së sotme meqë nuk do të marrin pjesë deputetët e koalicionit PAN.

Këta të fundit kanë kërkuar që për javën tjetër të mbahet edhe një konsultim të mërkurën dhe seanca plenare të mbahet të enjten ose të premten.

Presidenti i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, ka paralajmëruar se do të bëjë hapin e parë drejtë zhbllokimit të ngërçit politik brenda 10 ditëve, duke lënë të kuptohet se mund t’i bashkohet PAN-it për formimin e institucioneve.

Në seancën e sotme nuk priten zhvillime konkrete, dhe pas kësaj deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adem Mikullovcim njëherit dhe kryesues i seancës pritet të thërrasë një takim konsultativ të partive politike dhe ende nuk dihet nëse do të ndodhë siç ka kërkuar PAN-i, për të mërkurën.

Lëvizja Vetëvendosje një ditë më parë është shprehur se nuk janë të nevojshme konsultimet me partitë politike dhe se çdo përgjigje pozitive për të shkuar në këto takime, sipas LVV-së tregon se këto parti po i afrohen PAN-it.

Të drejtën për të propozuar kryetarin e Kuvendit e ka PDK-ja, dhe deri më tani kanë bërë të ditur se do të kandidojnë Kadri Veselin, dhe për kryeministër PAN-i do ta kandidojë, Ramush Haradinaj.

Aktualisht, dy taboret politike kanë nga 60 deputetë dhe PAN-i ka paralajmëruar se në fund të javës tjetër do të kemi institucionet e vendit./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme