Ndonëse Shqipëria nuk është ende pjesë e Bashkimit Europian, qytetarët shqiptarë kanë të drejtë të udhëtojnë në zonën Shengen pa pasur nevojë për viza.
Megjithatë, ata duhet të respektojnë disa rregulla, ndaj të cilave duket se nuk ka tolerancë. Ministria e Punëve të Brendshme ka publikuar sot disa informacione me rëndësi, të cilat duhet t’i keni parasysh përpara se të nisni udhëtimin tuaj në Shengen.
Pjesë e njoftimit janë edhe dënimet e BE-së për këdo që shkel këto rregulla.
NJOFTIMI I PLOTË
Çfarë duhet të keni parasysh kur udhëtoni në zonën Shengen?
1-Duhet të keni pasaportë të vlefshme biometrike
Sipas rregullave të reja, qytetarët shqiptarë me pasaportë biometrike mund të qëndrojnë në zonën Shengen, (që përfshin Islandën, Norvegjinë, Zvicrën, si edhe të gjitha shtetet anëtare të BE-së, përveç Mbretërisë së Bashkuar dhe Irlandës) maksimumi 90 ditë që nga dita e hyrjes brenda një periudhë kohore prej gjashtë muajsh (180 ditë).
Periudha fillon që nga momenti kur ju hyni për herë të parë në këtë zonë, brenda periudhës gjashtë mujore. Për shembull, nëse më datë 1 janar ju hyni për herë të parë në zonën Shengen, periudha e ardhshme gjashtë mujore fillon më datë 1 korrik.
Nëse udhëtoni shpesh në zonën Shengen, duhet të numëroni ditët e mbetura nga periudha gjashtë mujore. Pra, ju mund të bëni disa udhëtime afatshkurtra, me kusht që kohëzgjatja e tyre të mos kalojë 90 ditët brenda periudhës gjashtë mujore (180 ditë).
2 – Duhet të justifikoni qëllimin e udhëtimit nëpërmjet dokumentesh
Për vizitë familjare
Kur deklarohet në kufi se po udhëtohet për vizitë tek një i afërm, duhet të jepet informacion mbi të dhënat e personit pritës, adresa e tij, numër telefoni etj.
Për turizëm
Kur deklarohet në kufi se po udhëtohet për turizëm, për pushime, i pavarur nga pritja apo shoqërimi i një personi tjetër etj., duhet të paraqitet një rezervim hoteli, bileta e kthimit (nëse udhëtohet me avion apo mjete të transportit ujor), si dhe të ardhurat financiare që keni me vete.
Për kontroll mjekësor
Kur deklarohet në kufi se po udhëtohet për arsye shëndetësore, paraqitet rekomandimi i institucionit shëndetësor shqiptar, si dhe konfirmimi i institucionit shëndetësor ku do shkohet.
Për aktivitete
Kur deklarohet në kufi se po udhëtohet për aktivitete të ndryshme, paraqitet dokumentacioni mbi aktivitetin për të cilin personi është ftuar.
Udhëtimi me makinë
Kur udhëtohet me makinë, duhet të keni dokumentacionin e nevojshëm, leje ndërkombëtare drejtimi automjeti, patentë ndërkombëtare dhe karton të gjelbër sigurimi ndërkombëtar të makinës.
Sigurimi shëndetësor
Në të gjitha rastet duhet të keni siguracionin shëndetësor për periudhën e qëndrimit.
3 – Duhet të paraqisni garanci financiare për kohën e qëndrimit
Sipas Kodit Shengen (neni 6/4) “Mjetet e jetesës do të vlerësohen në përputhje me kohëzgjatjen dhe qëllimin e qëndrimit dhe duke iu referuar çmimeve mesatare në shtetin ose shtetet anëtare shumëzuar me numrin e ditëve të qëndrimit.
Vlerësimi i mjeteve të mjaftueshme të jetesës mund të bazohet në paratë, kontrollet e udhëtarëve dhe kartat e kreditit.
Deklaratat e sponsorizimit dhe letrat e garancisë nga pritësit, gjithashtu mund të përbëjnë dëshmi të mjeteve të mjaftueshme të jetesës.
Sipas Kodit Shengen
Dokumentet mbështetëse që vërtetojnë plotësimin e kushteve të hyrjes janë:
(A) për udhëtimet e biznesit:
(I) një ftesë nga një firmë ose një autoritet për të marrë pjesë në takime, konferenca apo ngjarje që lidhen me tregtinë, industrinë ose punën;
(Ii) dokumente të tjera që tregojnë ekzistencën e marrëdhënieve tregtare ose marrëdhënieve për qëllime pune;
(Iii) biletat e hyrjes për panaire dhe kongrese; (B) për udhëtimet e ndërmarra për qëllime studimi ose llojet e tjera të trajnimit:
(I) certifikatën e regjistrimit në një institut mësimor për qëllime të ndjekjes së kurseve profesionale ose teorike në kuadër të trajnimit bazë dhe të mëtejshëm;
(Ii) kartat e studentit ose certifikatat për kurset e ndjekura;
(C) për udhëtimet e ndërmarra për qëllime turizmi ose për arsye private:
(I) dokumentet mbështetëse në lidhje me strehimin: – një ftesë nga pritësi nëse qëndron te një i tillë; – një dokument mbështetës nga institucioni që ofron strehim ose ndonjë dokument tjetër të përshtatshëm që tregon vendndodhjen e parashikuar;
(Ii) dokumentet mbështetëse në lidhje me itinerarin: – konfirmimin e rezervimit të një udhëtimi të organizuar ose ndonjë dokumenti tjetër tëpërshtatshëm që tregon planet e parashikuara të udhëtimit;
(Iii) dokumentet mbështetëse në lidhje me kthimin: – një biletë të kthimit ose vajtje-ardhje;
(D) për udhëtime të kryera për ngjarje politike, shkencore, kulturore, sportive ose fetare ose për arsye të tjera: ftesat, biletë e hyrjes, regjistrimet ose programet ku thuhet ku është e mundur emri i organizatës pritëse dhe kohëzgjatja e qëndrimit ose ndonjë dokument tjetër përkatës që tregon qëllimin e vizitës.
*4 – Duhet t’u përmbaheni rregullave të qëndrimit (ndalohet punësimi i paligjshëm)*
Sipas rregullave të reja, nuk mund të punohet në shtetet e zonës në kundërshtim me ligjin.
Rregullat që aplikohen vetëm për qëllime udhëtimi, nuk u japin të drejtë qytetarëve shqiptarë për të qëndruar më shumë se 3 muaj dhe as të drejtën për t’u punësuar, apo për të kërkuar azil, në këto shtete.
Ata shtetas që kanë ndërmend të punësohen apo të studiojnë për një periudhë që tejkalon 90 ditët, më parë duhet të aplikojnë për vizë afatgjatë ose për leje qëndrimi, pranë ambasadës apo konsullatës së shtetit ku dëshirojnë të shkojnë.
Është e ndaluar të punohet në zonën Shengen pa leje pune apo të jetohet aty pa lejen përkatëse të qëndrimit.
Punësimi i ligjshëm i shtetasve shqiptarë në një prej këtyre vendeve, do të mundësohet vetëm nëpërmjet lejeve të punës.
Lejet e punës mund të merren vetëm në bazë të kontratave të punës dhe vizave të tipit D të cilat merren në ambasadën e atij vendi në të cilin është marrë kontrata e punës.
Nëse një qytetar shqiptar ka siguruar një kontratë të vlefshme pune, atëherë ai do të mund të pajiset në Shqipëri me një vizë të tipi D dhe më pas, këtë vizë do ta kthejë, në vendin përkatës, në leje qëndrimi, me një afat deri në një vit.
5 – Masat që merren ndaj shtetasve që shkelin rregullat e qëndrimit.
Qytetarëve shqiptarë do t’u kërkohet që të zbatojnë disa kërkesa dhe rregulla, jo vetëm gjatë hyrjes në vendet e BE-së por edhe gjatë qëndrimit të tyre në këto vende.
Nëse qytetarët shqiptarë do të shkelin këto rregulla, ata do të bëhen subjekt i largimit apo deportimit me forcë, veprim i cili shoqërohet gjithmonë me ndalim hyrje nga 1-5 vjet.
Për një kategori shkeljesh të rregullave të qëndrimit, shtetet anëtarë të BE-së aplikojnë masa administrative gjobe, të cilat shkojnë deri në 3000 euro. Në rast se këto shuma nuk paguhen, atëherë personi i gjobitur nuk do lejohet të hyjë në atë vend, që i ka vendosur gjobën, deri sa ta paguajë atë me gjithë kamatë vonesën.
Me rëndësi është të dihet se cilat janë këto rregulla që shtetasit shqiptarë nuk duhet të shkelin:
• së pari, nuk duhet të shkelin afatin e lejuar të qëndrimit që është 90 ditë për 180 ditë.
• së dyti, nuk duhet të shkelin legjislacionin vendas, kryesisht atë mbi punësimin.
Pra, nëse kapen duke punuar, ata bëhen subjekt i largimit dhe ndalimit të hyrjes.
• së treti, nuk duhet të bëhen problem për sigurinë publike, apo të përfshihen në aktivitete kriminale.
• së katërti, nuk duhet të bëhen barrë publike. Barrë publike janë personat të cilët nuk kanë të siguruar strehimin, ushqimin apo nevojat e tjera jetësore.
E thënë në mënyrë të përmbledhur, nëse shtetasit shqiptarë do të shkelin kushtet e lejuara për hyrjen dhe qëndrimin në një nga vendet e BE-së, atëherë ata do të penalizohen individualisht, – do t’u ndalohet hyrja në të gjitha vendet e BE-së për një periudhë deri në 5 vjet.
Singapori dënon me vdekje trafikantin e drogës/ Ekzekutimi i...
Shenjat e horoskopit që nuk kujdesen për mendimet e të tjerë...
Gjashtë mënyra për të gjetur më shumë gëzim dhe më pak stres...
Arioni surprizohet nga motra e tij në Big Brother, ja takimi...
Paris Saint-Germaini merr një fitore komode ndaj Toulouse
Konfiskimi i armatimit në veri, Kurti: Siguria e njerëzve dh...