Pas zjarreve dhe nxehtësisë ka dhe një lajm të keq për shqiptarët… kriza energjitike!

21:05 | 9 Gusht 2017
Arbresh.info

Kriza energjetike do të ketë pasoja financiare për buxhetin e shtetit, por sipas Ministrisë së Financave ato janë të përballueshme dhe nuk do të çojnë në rritje të borxhit. Paraprakisht ekspertët e ministrisë llogarisin se fatura e krizës për buxhetin do të jetë rreth 5 miliardë lekë ose gati 38 milionë euro shkruan TCh.

Në dy muajt e fundit Shqipëria ka shpenzuar mbi 50 milionë euro për të blerë energji elektrike. Deri tani fatura e importeve është përballuar nga vetë operatori i shpërndarjes së energjisë. Por për shkak të këtyre shpenzimeve të larta, OSHEE ka ndalur ripagesat e kredive, të marra me garanci të qeverisë.

Për vitin 2017, ishte parashikuar që kompanitë publike të ripaguanin rreth 5 miliardë lekë kredi. Këto pagesa tashmë do të mbulohen nga buxheti.Stafi teknik i Ministrisë së Financave ka nisur punën për ndryshimin e buxhetit, i cili me gjasa do të zyrtarizohet pas formimit të qeverisë së re. Por sipas tyre, pagesat për energjinë nuk do të çojnë në rritje të borxhit, pasi fatura do të mbulohet nga kursimet e interesave.

Në 6 muajt e parë të vitit, qeveria kurseu 3 miliardë lekë nga shërbimi i borxhit publik për shkak të rënies së interesave. Deri në fund të vitit, qeveria shpreson të kursejë më shumë, para të cilat do i përdorë për të financuar kreditë e kompanive energjetike pa rritur deficitin buxhetor. Nisin procedurat për të blerë energji elektrike për muajin Gusht

Rritja e konsumit të energjisë e ka detyruar operatorin e shpërndarjes të blejë energji shtesë për të përballuar furnizimin e konsumatorëve.Në fillim të gushtit, OSHEE bleu 434 mijë megavat energji elektrike, për të përmbushur konsumin e të gjithë muajit.

Por për shkak se temperaturave të larta, konsumi i energjisë është rritur mbi parashikimet. Kjo e ka detyruar kompaninë e shpërndarjes të hapë procedura për të blerë energji shtesë. Sipas njoftimit zyrtar, për periudhën nga 12 deri në 31 gusht do të blihet një sasi shtesë energjie prej 35 mijë mega vat, ose 8 për qind më shumë nga sa ishte parashikuar në fillim të muajit. Kjo do të rrisë faturën e importeve të gushtit me rreth 3 milionë euro të tjera.

Aktualisht 80 për qind e konsumit të energjisë po përballohet nga importi, pasi prodhimi vendas ka rënë në nivelet më të ulëta. Në kaskadën e Drinit KESH është duke prodhuar vetëm me prurjet natyrale, të lumit, ndërkohë që niveli i Fierzës ka rënë në 269 metra./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme