Google ADS

Vetëvendosje: Përfaqësuesit e PAN-it e shpërdorën ‘takimin konsultativ’

18:52 | 9 Gusht 2017
Arbresh.info

Sipas Lëvizjes Vetëvendosje, në mbledhjen konsultative në Kuvend sot u tentua sërish që kriza e brendshme e Partisë Demokratike të transferohet në Kuvendin e Republikës së Kosovës

Nëpërmjet një komunikate për mediat, VV thotë se përfaqësuesit e PAN-it e shpërdorën ‘takimin konsultativ’ në mbajtjen e të cilit insistuan vet.

“Ata pa asnjë arsye të qëndrueshme nuk pranuan kërkesën e Kryesuesit të Kuvendit të Republikës, deputetit Adem Mikullovci, për të marrë pjesë në seancën e rregullt të caktuar për nesër. Kësisoj, sërish shkelën procedurat parlamentare dhe kushtetuese dhe vazhduan bllokimin e themelimit të institucioneve. Sot, koalicioni PAN shtroi sërish një kërkesë absurde por të kuptueshme duke ditur gjendjen e tyre. Ata, veçanërisht PDK kërkuan që me “konsensus” t’ua bëjmë ne shumicën të cilën as e morën nga qytetarët me 11 qershor as nuk e arritën me ndonjë partneritet politik më pas”, thuhet në komunikatë.

Sipas VV-së, përmes “takimeve konsultative” si ky sot, PAN po insiston në emërimin arbitrar e jo në përzgjedhje demokratike.

“Bllokimi i procesit parlamentar është taktikë, kurse kriza politike si strategji e koordinuar e koalicionit PAN është vetëm nevojë e drejtuesve të PDK-së. Sot, qytetarët e Republikës së Kosovës pa dallim ndodhen në situatë shantazhi të cilën, nuk ua kanë për borxh sidomos PDK-së që për dhjetë vite është në pushtet. Veprimet e fundit të koalicionit të PDK-së konfirmojnë sheshazi atë që e dimë të gjithë e që u përmend dje edhe nga znj. Angelika Viets, Ambasadorja e Gjermanisë – ‘Shumë kanë frikë edhe nga ndjekja penale nëse nuk janë në pushtet’. Ata pra, janë të interesuar që të jenë pushteti kështu e garantojnë sigurinë e vet”, theksohet tutje në komunikatë.

VV thotë se po përcjell me shqetësim lojën e rrezikshme të PAN-it.

“Tërheqim vërejtjen për dëmet që po i shkaktohen qytetarëve dhe Republikës. Pajtohet me brengat e përfaqësuesve të bashkësisë ndërkombëtare ndaj pengmarrjes së institucionit të Kuvendit nga ana e këtij koalicioni, të udhëhequr nga PDK. Lëvizja VETËVENDOSJE! thërret të gjithë deputetët e Kuvendit që të mblidhen nesër për vazhdimin e seancës konstituive. Prania jonë e rregullt në sallën e Kuvendit mbetet dëshmia më e fuqishme e përgjegjësisë ndaj qytetarit dhe Republikës. Bojkoti i PAN-it është sulm ndaj shtetit”, thuhet në fund/arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme