Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), pritet që sot gjatë ditës të votojë për kryetarin e ri të Gjykatës Supreme dhe të Gjykatës së Apelit.
Kryesuesi i KGJK-së, Nehat Idrizi ka thirrur për të mërkurën mbledhjen e 187-të të këtij këshilli, ku si pikë e rendit të ditës është zgjedhja e kryetarit të Supremes dhe të Apelit.
Procesi i votimit do të mbahet konform rekomandimeve të aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, në përputhje me të cilat KGJK-ja mbledhjen e kaluar ka miratuar rregulloren (05/2017) për plotësimin dhe ndryshimin e rregullores (14/2016) si dhe për ndryshimin dhe plotësimin e rregullores (09/2017) për procedurat e zgjedhjes, emërimit, vlerësimit, pezullimit dhe shkarkimit të kryetarëve të gjykatave dhe gjyqtarëve mbikëqyrës.
Në garën për kryetar të Gjykatës Supreme të Kosovës dhe të Gjykatës së Apelit, do të jenë kandidatët e njëjtë, siç kanë qenë në konkursin e kaluar, pasi që Kushtetuesja e kishte anuluar vetëm procesin e votimit të KGJK-së.
Kandidatë për kryetar të Supremes janë Valdete Daka, Nesrin Lushta, Enver Peci dhe Erdogan Haxhibeqiri.
Kurse, kandidatë për kryetar të Gjykatës së Apelit janë Tonka Berishaj, Hasan Shala dhe Xhevdet Abazi.
Historiku i këtij procesi
Më 8 dhjetor 2016, KGJK-ja mori vendim për shpalljen e pozitës së lirë për kryetar të Gjykatës Supreme, ndërsa më 23 dhjetor të po atij viti u shpall konkursi për këtë pozitë.
Me 13 shkurt 2017, Komisioni për Vlerësim dhe Intervistim mbajti intervistat me kandidatë.
Ky komision vlerësoi kandidatët në këtë mënyrë: Valdete Daka 90 pikë, Nesrin Lushta 87.3 pikë, Enver Peci 85 pikë dhe Erdogan Haxhibeqiri 83 pikë.
Më 6 mars të vitit 2017, KGJK-ja mbajti procesin e votimit për kryetar të Gjykatës Supreme, ku me 6 vota për dhe 4 abstenime nxjerri vendimin që të propozoi Enver Pecin për kryetar të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës.
Më 16 mars të vitit 2017, kandidatja Valdete Daka paraqiti ankesë në Gjykatën Kushtetuese përkitazi me këtë proces, në të cilin sipas saj, ishin shkelur disa nene të Kushtetutës.
Më 27 mars të vitit 2017, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës vendosi masë të përkohshme ndaj vendimit të KGJK-së për propozimin e Enver Pecit për kryetar të Gjykatës Supreme.
Me 12 qershor 2017, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës publikoi aktgjykimin, me të cilin anulojë vendimin e KGJK-së për propozimin e Enver Pecit për kryetar të Gjykatës Supreme dhe e obligoi KGJK-në që të mbajë proces të ri të votimit.
Ndërsa, sa i përket procesit të zgjedhjes së Kryetarit të Gjykatës së Apelit, vendimi për shpalljen e kësaj pozite, KGJK-ja e ka marrë më 28 tetor 2016, ndërsa konkursi ishte shpallur më 4 nëntor 2016.
Me 19 dhjetor 2017, Komisioni për Vlerësim dhe Intervistim mbajti intervistat me kandidatë.
Ky komision vlerësoi kandidatët në këtë mënyrë: Tonka Berishaj 100 pikë, Hasan Shala 84 pikë dhe Xhevdet Abazi 77 pikë.
Më 13 janar 2017, KGJK-ja me 7 vota për, 1 kundër dhe 1 abstenim, zgjodhi Hasan Shalën kryetar të Gjykatës së Apelit.
Me 28 prill 2017, kandidatja Tonka Berishaj paraqiti ankesë ndaj këtij vendimi në Gjykatën Kushtetuese, ku ajo pretendonte se gjatë nxjerrjes së këtij vendimi janë shkelur disa nene të Kushtetutës.
Më 17 korrik të vitit 2017, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës publikoi aktgjykimin e saj përkitazi me këtë rast, sipas të cilit e anulojë vendimin e KGJK-së për zgjedhjen e Hasan Shalës kryetar të Gjykatës së Apelit dhe urdhëroi KGJK-në për mbajtjen e një procesi të ri të votimit.
Por, në mungesë të një mase të përkohshme, me këtë vendim tanimë të deklaruar si jokushtetues, Hasan Shala udhëhoqi Gjykatën e Apelit plotë gjashtë muaj.
Ndryshimi i rregullores për zgjedhjen e kryetarëve të gjykatave dhe harmonizimi i saj me aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës ka qenë pikë e rendit të ditës në KGJK që nga mbledhja e 23 qershorit 2017.
Përfundimisht, ndryshimi i kësaj rregullore u bë në mbledhjen e 3 gushtit 2017. Përball variantit të propozuar nga partnerët ndërkombëtarë, që procesi i votimit të jetë i hapur, kalojë varianti i Komisionit për Çështje normative, përkatësisht që votimit të jetë i mbyllur.
Megjithatë, sot pritet që të përfundojë ky proces i filluar mbi 8 muaj më parë për Gjykatën e Apelit, dhe mbi 7 muaj më parë për Gjykatën Supreme të Republikës së Kosovës./Betimipërdrejtësi
Dita e Alfabetit Shqip, Begaj: Gjuha e shqiponjave do të mbi...
Hyrja e “lirshme” e drogës në burgjet e Kosovës, për tre vje...
Pacolli udhëton me tren: Moment qetësie larg zhurmës së përd...
Intervista e Ronaldo-s me MrBeast-in po thyen rekorde, 17 mi...
Kurti: Synim i Serbisë mbetet hakmarrja, Kosova duhet të jet...
Kancelari gjerman Scholz do të kandidojë për një mandat të d...