Google ADS

Kosova mund të bëhet anëtare në Organizatën Botërore për Tregti (OBT)

15:07 | 13 Mars 2015
Arbresh.info

Kosova mund të bëhet anëtare e Organizatës Botërore për Tregti (OBT), por kjo varet nga plotësimi i kritereve përshtatur standardeve të Bashkimit Evropian.

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë është në proces të përgatitjeve të dokumenteve për anëtarësim në OBT. Vjollca Dibra , këshilltare për media në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë (MTI), thotë se anëtarësimi në OBT është një proces i gjatë dhe kërkon përmbushjen e shumë standardeve, një pjesë e të cilave do të përmbushen gjatë përgatitjes së Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Ajo nuk ka dhënë detaje se cilat janë standardet që duhet të plotësoj Kosova.

Ndërkohë, Ibrahim Rexhepi, njohës i çështjeve ekonomike, thotë se Kosova do të ketë disa përparësi në anëtarësimin e saj në këtë organizatë, por që sipas tij, anëtarësimi i jep Kosovës edhe përgjegjësi.

“Sa i përket anëtarësimit në Organizatën Botërore të Tregtisë ndoshta përparësia dhe e mira që do të përfitonte Kosova është se do të bëhemi pjesë e një grupi shumë të madh të vendeve me të cilat mund të kyçet në garën për relacionet tregtare globale. Mirëpo është edhe një çështje tjetër që mund të paraqitet edhe si përgjegjësi dhe detyrim i Kosovës, respektimi i kritereve dhe standardeve mbi të cilat bazohemi në raporte dhe zhvillimi i relacioneve në tregtinë globale. Kështu që kjo ndoshta është e mirë nëse shfrytëzohet vetëm si nxitje për të avancuar si standardet edhe format e komunikimit dhe të bashkëpunimeve ndërkombëtare, dhe tek atëherë Kosova mund të llogaritet si një anëtare e cila mund të jetë konkurrente si në organizatën Botërore të Tregtisë edhe në tregun global”, ka thënë ai.

Rexhepi po ashtu beson se kjo do të na mundësonte inkuadrimin në ndarjen e tregut ndërkombëtar.

Arian Zeka, kryetar i Odës Ekonomike Amerikane, thotë se përfitimet e Kosovës nga kjo Organizatë do të jenë rregullat e një tregtie fer mes shteteve të ndryshme të botës.

Zeka ka shtuar se anëtarësimi i Kosovës në OBT do të na mundësonte rritjen e njëfarë fuqie negociuese në aspektin e tregtimit me shtete e tjera, meqë kjo është edhe pika ku kemi ngecur. Sipas tij Kosova po ashtu ka pasur pengesa të ndryshme të cilat i janë vënë në tregtimin me shtete e rajonit.

Ndryshe sipas të dhënave të OBT-së çdo shtet apo territor doganor, duke pasur autonomi të plotë në kryerjen e politikave të saj tregtare, mund të bëhet anëtar (“të aderojë në”) Organizatën Botërore të Tregtisë, por të gjithë anëtarët e OBT-së duhet të bien dakord mbi kushtet. Kjo bëhet përmes krijimit të një grupi punues të anëtarëve të OBT-së dhe përmes një procesi të negociatave.

Përndryshe, Kosova ende mbetet peng i pesë shteteve anëtare të Bashkimit Evropian edhe në rastin e anëtarësimit në OBT.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme