Google ADS

Paraburgim 16 vjeçarit për aksidentin tragjik në Rogovë

20:41 | 8 Gusht 2017
Arbresh.info

Tridhjetë ditë paraburgim është masa e caktuar ndaj të miturit që pasditen e së hënës, pas goditjes me veturë, la të vdekur dy persona në fshatin Rogovë të Gjakovës.

16-vjeçari me inicialet H.B., me nënshtetësi zvicerane, është dërguar në Qendrën Korrektuese për të Mitur në Lipjan. Këtë e ka konfirmuar gjyqtarja e rastit, Besarta Doli, raporton KTV.

Në momentin kritik, bashkë me 16-vjeçarin, që ishte duke vozitur pa patentë shofer, ka qenë edhe një i mitur tjetër i së njëjtës moshë me inicialet B.B.

Shkak i aksidentit, ku pos dy të vdekurve janë lënduar edhe shoferi dhe pasagjeri, sipas Policisë, ka qenë mospërshtatja e shpejtësisë me rrugën.

Dy viktimat janë gjyshe e mbesë: 55-vjeçarja me emrin Gjyle Krasniqi dhe 12-vjeçarja me inicialet L.D..

Vetura me të cilën u goditën për vdekje dy personat, ka targa të Zvicrës, por është e ç’lajmëruar atje, ndërsa ka një vit që qëndron pa doganë në Kosovë.

Për këtë, është hapur rast edhe ndaj prindit të të dyshuarit – me ç’rast ai mund të dënohet për “shmangie të doganës”. Derisa ka njoftuar se të miturit i është konfiskuar pasaporta, prokurori i rastit nuk ka treguar nëse do të merren masa, ndaj prindit të të dyshuarit.

Gjykimi ndaj të miturit me nënshtetësi zvicerane do të mbahet në Kosovë – dhe sipas gjykatëses së rastit do të jetë i mbyllur për shkak se bëhet fjalë për të dyshuar të moshës minore.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme