Google ADS

Mustafa akuzon PDK-në për gjendjen aktuale, Veselin e quan amator politik

23:43 | 4 Gusht 2017
Trina Galanxhi

Kryeministri në detyrë, Isa Mustafa, në një intervistë në Interaktiv të KTV-së, ka thënë se është PDK-ja ajo që po bëjnë të pamundur zhvillim më të shpejtë të institucioneve të Kosovës.

“Është keq që po dështojnë gjërat në vend, do të ishte mirë të përgatiteshin me kohë edhe PDK, e në bazë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, kjo deri tani të përfundonte”, ka thënë Mustafa duke shtuar se ata po zvarritin këto obligime.

“PAN-i deri tash kanë krijuar bindjen tek populli që i kanë siguruar votat për themelimin e institucioneve, por po shihen që si kanë, po duan të zvarrisin formimin e institucioneve”, ka shtuar ai.

Për sa i përket takimit konsultues i cili do të mbahet ditën e mërkurë, Mustafa thotë takime të tilla dikur duhet të përfundojnë. Ai thotë se duhet të thirret sa më shpejtë vazhdimi i seancës konstituive.

Për këto zhvillime, Mustafa vazhdimisht akuzon PDK-në, e në një rast e quan amater Kadri Veselin.

“Fajin themelor e ka koalicioni i PDK-së. Ata duhet të dalin me një kandidat për kryetar të Kuvendit. Kanë mundësi të shumta, s’duhet të abuzojnë kështu pasi kuvendi duhet themeluar”, duke shtuar se këtë situatë të keqe e ka shkaktuar PDK-ja, e madje duke i akuzuar se vetë ata e kanë bërë në mënyrë të fshehtë mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë.

Kadri Veselin, Mustafa e quajti amater, duke thënë se një njeri i tillë nuk mund ta krijojë asnjëherë Qeverinë.

“As s’u bo kryeministër as s’do ta drejtojë qeverinë, ai është amater, nuk ka lidhje me lidership, si ai nuk veprojnë liderët”, ka thënë Mustafa.

Mustafa ka thënë se nëse Veseli do të ishte lider i mirë për vendin, qysh sot do të ftonte Lëvizjen Vetëvendosje dhe LDK-në që ta formonin Qeverinë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme