Vetëm sivjet, pa përfshirë afatin e shtatorit, nga Universiteti i Prishtinës dolën 150 studentë të diplomuar të psikologjisë.
Zyrtarja për studime themelore në Fakultetin Filozofik, Merita Januzaj thotë se numri i të diplomuarve në Departamentin e Psikologjisë është rritur: para katër viteve nga këtu kishin diplomuar 110 studentë.
Mundësitë, vendet, alternativat e pakta të punësimit i shtyjnë shumë të diplomuar në Departamentin e Psikologjisë që të shohin të vazhduarit e studimeve si perspektivë të vetme për punësimin eventual, mbase në ndonjë organizatë joqeveritare.
Lundrim Xhemajli nga Podujeva, i cili i vijon studimet master në UP, drejtimi “psikologjia shkollore dhe e këshillimit”, konsideron se “masteri është dera dhe shpresa e fundit” për një mundësi punësimi në profesion apo kudo qoftë.
“Studimet master ngritin avancimin akademik dhe më dhënë një lloj sigurie brenda vetes që do e kem më të lehtë të punësohem”, rrëfen ai.
Në një anketë të shkurtër, shkencërisht jopretencioze, të KosovaLive me studentët e diplomuar të këtij departamenti, vetëm një nga gjithsej 35 studentë tha se është e punësuar në profesion, për dallim nga 34 të tjerë që u përgjigjën negativisht.
Fatjona Ajvazi nga Vitia, 21-vjeçare, një ndër studentët e paktë të punësuar në profesion pas diplomimit, punon për organizatën joqeveritare “Equal Rights for All Coalition”. Sipas saj, vetëm me studimet bachelor është vështirë të kesh një punë stabile, mirëpo mundësi mund të jetë të punuarit për ndonjë organizatë.
Dekani i Fakuletit Filozofik, Bujar Dugolli, thotë se Universiteti i Prishtinës ofron studimet bazike bachelor dhe ato master por vetëm në drejtimin “Psikologji Shkollore dhe Këshillim”.
Ai thotë se Universiteti i Prishtinës çdo herë është duke zvogëluar numrin e studentëve në të gjitha drejtimet, jo vetëm në këtë degë, edhe pse ka shumë kërkesa, dhe pranon se ky universitet publik nuk ka mundësi të ofrojë shërbime për gjithë atë numër të studentëve. Rrjedhimisht edhe në drejtimin e psikologjisë është vendosur të ulet numri i të pranuarve.
“Studimet me korrespodencë i kemi larguar, tani nuk pranohen më shumë se 100 studentë në bachelor”, shtoi Dugolli, duke rikujtuar se para katër viteve pranoheshin 200 studentë.
Numri i aplikuesve në Departamentin e Piskologjisë, që është hapur më 2006, më herët ishte më i vogël, meqë kishte më pak informata rreth këtij drejtimi: sot numri i atyre që aplikojnë arrin 700.
Drita Kadriu, drejtore e Departamentit të Arsimit të Lartë nuk e sheh të arsyeshme të zvogëlohet numri i pranimit të studentëve në këtë drejtim.
“Ministria e Arsimit ndërhyn në zvogëlimin e numrit të pranimit të studentëve nëpër departamente të tjera ku numri i të pranuarve është shumë më i madh se në Departamentin e Psikologjisë”, rrëfen ajo.
Ardit Elezkurtaj 23-vjeçar nga Prizreni, me dëshirë për të studiuar psikologji që nga gjimnazi, konsideronte se derisa t’i përfundonte studimet, tregu do të kishte nevojë për psikologë.
Një gjë e tillë nuk ndodhi dhe ai tregon se është shumë e vështirë të punësohet, pos “nëse ke të afërm që të ndihmojnë, apo me ndonjë formë korruptimi.” Tash si “rrugëdalje” sheh vazhdimin e studimeve…
Mustafë Kadriu, ushtrues detyre i drejtorit për Zhvillimin e Arsimit Universita në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë tregon se në kohët e kaluara, për dallim nga sot, kishte numër të konsiderueshëm të pedagogëve nëpër shkolla, të cilët kanë punuar me të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me nxënësit.
“Secila shkollë duhet të ketë nga një psikolog, apo një psikolog të jetë për më shumë se dy shkolla, nëse numri i nxënësve është i vogël. Psikologët janë të domosdoshëm, por rrethanat, kushtet kosovare, buxheti… janë çështje të tjera të cilat janë mjaft problematike për numrin e tyre në shkolla”, thotë Kadriu.
Sipas tij, të punësuarit e tyre varet dhe është në interes nga drejtoritë komunale, se a do të kenë psikologë në shkolla a po jo. Nëse ata e shohin të arsyeshme, mund të rritet numri i psikologëve.
“Ministria e Arsimit kujdeset vetëm për politikat, për një numër të caktuar të nxënësve. Sa psikologë duhet të jenë”, thotë Kadriu.
Durim Jasharaj nga Organizata për Rritjen e Cilësisë së Arsimit (ORCA), thotë se kjo organizatë vazhdimisht ka ngritur çështjen e cilësisë në arsimin e lartë, dhe ka theksuar mungesën e stafit adekuat dhe të përgatitur për shumë nga programet në Universitetet Publike. ORCA konsideron se fillimisht duhet të ngritet cilësia e studimeve në secilën njësi akademike, duke rekrutuar stafin më të mirë që kemi brenda dhe jashtë vendit.
Sipas tij, Departamenti i Psikologjisë nuk mund të ishte përjashtim.
“Duhet të krijohet lidhje ndërmjet ekonomisë dhe arsimit në mënyrë që kuadrot që prodhojmë të mos mbesin në mëshirën e fatit. Kosova vuan nga mungesa e një plani serioz arsimor dhe si rrjedhojë kemi pasur vendime dhe plane improvizuese që e kanë sjellë këtë mungesë shprese të studentët”, shpjegoi Jasharaj./KosovaLive
Vdekja e 25-vjeçarit në Prizren, Haradinaj bën thirrje për r...
Osmani takoi Ndihmës Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, fl...
Kumbaro publikon fotografi unike: Lezeti i këtyre ditëve në ...
Presidenti ukrainas bën thirrje për forcimin e mbrojtjes ajr...
Haradinaj takon qytetarët në Istog, premton investime të shu...
Hamza takohet me Xhakën, e quan kampion dhe shembull për të ...