“Procesi i konstituimit të organeve të Kuvendit, mund të vazhdojë në pakufi deri në imponimin e zgjedhjeve të reja të jashtëzakonshme”, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, eksperti i çështjeve juridike – kushtetuese, Mazllum Baraliu, profesor në Universitetin e Prishtinës.
Ai shton se është një problem brengosës, sa i përket dispozitave të Kushtetutës, të cilat kanë mangësi të mëdha dhe që paraqiten në këtë çështje.
Radio Evropa e Lirë: Profesor Baraliu, seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës është përcjellë me mjaft paqartësi. A ka pasur shkelje të rregullores të Kuvendit të Kosovës gjatë kësaj seance?
Mazllum Baraliu: Zakonisht jo vetëm rregullorja e Kuvendit, gjatë punës së seancave parlamentare, qoftë edhe konstitutive siç ishte kjo, edhe Kushtetuta vetë dhe ligjet e Kosovës fatkeqësisht shkelen pothuajse në vazhdimësi.
Por, sa i përket seancës së djeshme konstitutive, kryesuesi i saj ka pasur pranë Sekretarin e Kuvendit, së bashku me ekspertë të tjerë, përgjegjës për çështjet ligjore, për ta korrigjuar eventualisht nëse kryesuesi i Kuvendit do të gabonte.
Nëse kthemi në shpjegimin e termeve teknike ose procedurave, ndoshta kur e ka përdoruar fjalën mbyllet seanca ka gabuar, për arsye se po të mbyllej kjo seancë, atëherë do të duhej të thirret sipas rregullave tjera, në frymën e dispozitave të rregullores së punës ë Kuvendit, që ka afate, ka ditë, ka procedura, të thirrej një seancë tjetër.
Por, meqë kjo seancë është konstituive dhe nuk duhet të ndërpritet pa arsye të mëdha dhe nuk përfundon pa u konstituuar të gjitha organet, sa i përket asaj fjalës “mbyllje”, nuk është shkelje e rëndësishme dhe serioze dhe seanca mund të vazhdojë.
Kjo seancë duhet të vazhdojë, është mirë që është zënë afati brenda 8 gushtit, pasi që ai do të ishte afati i fundit kushtetues për tu konstituuar Kuvendi.
Ajo pjesë e punës që është kryer deri më tani është bërë mirë. Është bërë hapja e seancës, është bërë leximi i rendit të ditës, është bërë konfirmimi i të pranishmëve, është bërë kërkesa për ta formuar komisionin përkatës për verifikim të mandatave dhe kuorumit dhe është bërë betimi, pra deputetët janë zgjedhur.
Pra, në aspektin individual, Kuvendi i Kosovës është i konstituuar dhe deputetët kanë mandat.
Radio Evropa e Lirë: Nisur nga zhvillimet në Kuvend, a do të mund të rrezikohen afatet ligjore për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit?
Mazllum Baraliu: Më vetë faktin që seanca konstituive ka filluar para 8 gushtit, kur do të ishte afati i fundit, ajo mund të vazhdohet edhe para kësaj date dhe pas kësaj date, sepse është vazhdim i një seance dhe nuk është shkelje kushtetuese.
Por, është një problem brengosës sa i përket dispozitave të Kushtetutës, që mund të jetë një çështje shumë serioze.
Për arsye se neni 67, paragrafi 2 i Kushtetutës në fuqi, i jep mundësinë koalicionit parazgjedhor fitues që t’i propozojë Kuvendit kryetarin e tij, ndërkaq nuk ka asnjë dispozitë vazhduese, përkufizuese, definuese, shteruese për të paraparë situatat juridike të mundshme.
Si për shembull, ajo çfarë na ndodhi dje, si ishte rasti se çka nëse koalicioni PAN, i cili ka autorizim, ka mundësi nuk e propozon atë (kryetarin e Kuvendit) ose nëse kandidati i propozuara nga grupi më i madh parlamentar, në këtë rast koalicioni PAN, nuk pranohet.
Kjo çështje nuk është e përpunuar dhe kjo paraqet një vakum të madh kushtetues.
Radio Evropa e Lirë : Çfarë situata mund të paraqiten?
Mazllum Baraliu: Tash është situata e tillë, po të dojë dikush, e që siç po duket ka simptoma dhe tendenca për të zvarritur procesin e konstituimit të organeve të Kuvendit, mund ta vazhdojë në pakufi me propozime të reja.
Nëse e propozon njërin kandidat dhe nuk votohet, mundet të njëjtin ta propozojë në seanca tjera të rregullta, si vazhdim i seancës konstituive, të propozojë tjerë deputet, deri në përmbylljen me ndonjë deputet të fundit të koalicionit PAN.
Nëse vazhdon ky trend i bllokimit, duke i pasuar parasysh vakuumet e Kushtetutës dhe qëllimet e caktuara të subjekteve tona politike, ka një tendencë të bllokadës të shtyrjes deri në zgjedhje të reja të parakohshme, të cilat nuk i konvenojnë askujt, por do të ishin një humbje kohe e madhe dhe në asnjë mënyrë e justifikueshme.
Radio Evropa e Lirë: Kushtetutën e Kosovës po vazhdojnë ta përcjellin sfida të pakalueshme, në disa raste thuhet se e ka bllokuar vendin në shumë procese të rëndësishme. A paraqitet nevoja e ndryshimit të saj?
Mazllum Baraliu: Kjo Kushtetutë ka mangësi të jashtëzakonshme. Fillimisht, ka pasur të tilla për arsye se nuk është zhvilluar një debat i domosdoshëm, i rëndësishëm dhe gjithëpërfshirës për miratimin e kësaj Kushtetute.
Si e tillë, kjo Kushtetutë është servuar në bashkëpunim me bashkësinë ndërkombëtare dhe ekspertët e institucionet vendore, dhe si e tillë është bërë me nguti.
Është një akt kushtetues, i servuar në rrethana specifike, në kohën kur Kosovës i duhej që të kishte Kushtetutën pas shpalljes së pavarësisë, dhe i duhej të kishte një Kushtetutë të balancuar, jo ashtu si do të duhej ta kishim, si do të duhej të ishte, një shprehje sovrane e vullnetit të qytetarëve.
Kjo Kushtetutë, jo që duhet të ndryshohet dhe plotësohet, por duhet të rishkruhet që nga Preambula, e cila është e papranueshme për të gjithë, edhe për shumicën edhe për komunitetet tjera joshumicë në Kosovë./arbresh.info/
Sara dhuron spektakël, realizon vallëzim si dënim nga Xuxi
Akuzat e Pecit, Pacolli: Dikur mbante bluzën me emrin e firm...
A do ta ndaje ndonjërën prej banoreve nga partneri i saj bre...
Tare: Sjellja e futbollistëve të Kosovës tejet dinjitoze
Zarfi ngjyrë hiri shfaqet në ekran – banorët nisin hamendësi...
Papa ‘bekon’ lumturimin e 2 martirëve të krishterë në Shkodë...