Ivanov kërkon të mos sakrifikohet identiteti

16:54 | 2 Gusht 2017
Arbresh.info

Pa koment të saktë për marrëveshjen me Bullgarinë, me thirrje që mos të hiqet dorë nga identiteti dhe mesazhe për kohabitacion me qeverinë e Zaevit. Këto ishin pjesë të fjalimit të presidentit Gjorgje Ivanov.

Ai theksoi se Çento do të gëzohej për 26 vjetorin e pavarësisë, por do të revoltohej që ende po kontestohet liria e vetë- identifikimit. Sipas kreut të shtetit për të qenë tërësisht e lirë, Maqedonia patjetër duhet të bëhet pjesë e BE-së, por siç tha, në këtë rrugë vendi është shantazhuar, ndërsa çmimi është tejet i lartë.

“Anëtarësimi në BE dhe NATO domosdoshmërish kërkon viktimë. Por, për çdo viktimë nevojitet konsensus i gjerë kombëtar dhe shtetëror. Të bëjmë kujdes të mos e sakrifikojmë atë për të cilën paraardhësit tanë janë sakrifikuar. Të mos e sakrifikojmë identitetin”, deklaroi presidenti Gjorgje Ivanov.

Lidhur me marrëveshjen që e firmosën kryeministrat Zaev dhe Borisov, Ivanov tha se bashkë duhet të festohet dita e pranimit të Maqedonisë nga Bullgaria, si dhe dita e Evropës, por duke mos e përmendur “Ilindenin”.

“Fqinjësia e mirë është rrugë me dy kahe. Marrëveshja do të thotë se rregullat e njëjta vlejnë edhe për anën e majtë edhe për anën e djathtë të rrugës. Ajo që vlen për Maqedoninë vlen edhe për Bullgarinë. Duke u mbajtur pranë parimeve të barazisë dhe reciprocitetit, po mbyllim një çështje të hapur që rëndonte raportet tona, ndërsa njëkohësisht hapim derë për ndërtimin e besimit dhe bashkëpunimit të ndërsjellë”, theksoi Ivanov.

Ivanov dërgoi mesazhe për kohabitacion me qeverinë e re dhe paralajmëroi se do t’i mbështetë të gjitha ndryshimet ligjore të cilat, siç tha, do ta ndërtojnë imazhin evropian të Maqedonisë.

“Pres avancim të koordinimit mes institucioneve kompetente të ngarkuara për çështjet e jashtme, me qëllim që diplomacia të flet me zë të njëjtë, të qartë dhe mirë të argumentuar. Tek unë do të kalojnë vetëm propozimet për ambasadorë që do t’i plotësojnë kriteret për profesionalizëm dhe përvojë”, shtoi Ivanov

Në fund të fjalimit, presidenti u bëri thirrje të gjithë qytetarëve, pa dallim të përkatësisë etnike dhe politike, që ta lënë anash revanshizmin dhe të bashkohen rreth interesave shtetërore dhe kombëtare. /AlsatM/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme