Falja e borxheve përmirëson klimën biznesore

15:14 | 23 Qershor 2015
M. A.

Komisioni për Buxhet dhe Financa e ka proceduar në Kuvend Projektligjin për faljen e borxheve publike ndaj institucioneve shtetërore.

Me këtë projektligj u falen borxhet qytetarëve deri në vitin 2008. Mirëpo, zëvendësministri i Financave, Agim Krasniqi ka thënë para Komisionit për Buxhet dhe Financa se për faljen e borxheve personat juridikë dhe fizikë duhet t`i ndjekin disa procedura.

Ndonëse anëtarët e Komisionit i dhanë dritën e gjelbër projektligjit për faljen e borxheve publike, megjithatë projektligji nuk kaloi pa kritika, kur bëhej fjalë për faljen e borxheve që kanë bizneset. Anëtarja e Komisionit, Safete Hadërgjonaj, tha se duhet të shikohet edhe njëherë projektligji që bizneset të cilat kanë pasur mundësi me i kryer obligimet dhe nuk e kanë bërë një gjë të tillë, është absurde që të falen ato biznese.

“Bizneset që janë të fuqishme kanë pasur mundësi me i paguar obligimet ndaj shtetit dhe nuk i kanë paguar ato nuk kanë arsye që të falen. Për ndryshe ne po i demoralizojmë të gjithë ata të cilët mendojnë për funksionimin e këtij shteti”, tha ajo.

Edhe anëtari tjetër i komisionit Bali Muharremaj tha se me këtë projektligj nuk përmirësohet klientela e të bërit biznes në Kosovë, por, sipas tij, lirohen nga borxhet vetëm ato biznese që kanë lidhje politike.

Në anën tjetër, zëvendësministri i Financave Agim Krasniqi, ka bërë të ditur edhe procedurat që duhet t`i ndjekin të gjithë personat fizik dhe juridik për faljen e borxheve.

“Përveç faljes së tërësishme të borxhit, për periudhën deri në vitin 2008, do të përfitojnë edhe me faljen e gjobave, ndëshkimeve, interesit dhe çdo obligim tjetër që rrjedh mos pagesa me kohë e kryesve të borxhit për periudhën 01 janar 2009 deri më 31 dhjetor 2014”, tha ai.

Komisioni për Buxhet dhe Financa ka miratuar edhe raportin vjetor të BQK-së.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme