Kosova me 320 mijë automjete

22:32 | 1 Gusht 2017
M. A.

Kosovarët po dalin të jenë të varfër kur vije puna tek posedimi i automjeteve. Numri i përgjithshëm i automjeteve të regjistruara në Kosovë gjatë vitit 2016 ka qenë 319 mijë e 615. Kështu tregojnë të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës për Statistikat e transportit dhe telekomunikacionit.

Në krahasim me vitin 2015 ky numër është zvogëluar dukshëm. Derisa në vitin 2015 kanë qenë të regjistruara 281 mijë e 847 vetura, në 2016-tën, 260 mijë e 291 vetura.

Edhe sa i përket mjeteve tjera transportuese, vërehen shifra të njëjta të zvogëlimit. Në vitin 2015 të regjistruar figurojnë 3 mijë e 212 kombibusë. Ndërsa, në vitin që lamë pas 2 mijë e 841 është numri i kombibusëve të regjistruar.

Njësoj po ndodh edhe me autobusët. Derisa në 2015-tën janë regjistruar 2 mijë e 124 autobusë, në vitin 2016 vetëm 1 mijë e 916 sosh.

Në vitin 2015 kosovarët kanë regjistruar 1 mijë e 849 motoçikleta, e në vitin 2016, 1 mijë e 790. Këso zvogëlime ka pasur edhe me traktorët. Në 2015 tën kanë qenë të regjistruar 941 traktorë. Ndryshe në vitin 2016, 613.

Në total në vitin 2015 kosovarët kanë pasur numër më të madh të automjeteve. Plot 342 mijë e 142. E në vitin 2016 nga ky numër vetëm 319 mijë e 615 mjete motorike e jo motorike.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme