KMDLNj reagon pas kërcënimeve ndaj Thaçit, Kurtit, Ahmetin e Tërnavës

15:11 | 1 Gusht 2017
Arbresh.info

KMDLNJ, përmes një komunikate për media, ka reaguar për grafitet e fundit që u bënë në muret e oborrit të Fakultetit Filologjik, e ku u kërcënuan presidenti Hashim Thaçi, kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti, Lideri i Vetëvendosjes Albin Kurti dhe Kryeimami i BIK-ut Naim Tërnava.

KMDLNJ, përmes kësaj ka kërkuar që të miratohet Ligji për Lustracion të Figurave Publike në mënyrë që të mos përballemi me situata që tani i kemi dhe , nëse autoritetet përgjegjëse nuk ndërmarrin masa ligjore , pasojat do të jenë të rënda kur as viktimat në njerëz nuk mund të përjashtohen.

Reagimi i plotë i KMDLNJ:

Lehtësia padurueshme dhe e padënueshme e kërcënimit për jetë!

Persona të panjohur deri më tani kërcënuan me jetë Hashim Thaçin , president i Kosovës , Naim Tërnavën , kryeimam i BIK –ut , Shpend Ahmetin , kryetar i Prishtinës dhe Albin Kurtrin , lider i Vetëvendosjes.

Këto kërcënime u shkruan si grafite në muret e fakultetit filologjik të Universitetit të Prishtinës dhe përmbajtja e tyre apo preteksti i kërcënimit ishte me karakter antifetar përkatësisht ndërlidhej me ndërtimin e Xhamisë së Madhe në lagjen Dardania në Prishtinë.

Përshkallëzimi i fjalorit të dhunshëm rreth ndërtimit të xhamisë ka marrë përmasa të një fushate gjë që nuk ishte e theksuar për kishën ortodokse në oborrin e Universitetit të Prishtinës apo Katedralen katolike në qendër të Prishtinës e ndërtuar mbi themelet e një gjimnazi prestigjioz gjë që tregon se toleranca fetare në Kosovë po bjen si viktimë e ndikimeve politike dhe se këta tre tempuj të besimeve të ndryshme janë politizuar skajshmërisht dhe nuk janë në funksion të realizimit të të drejtave fetare dhe përmbushjes së nevojave shpirtërore por po shërbejnë kryesisht për qëllime politike.

Pushkatimi medial në Kosovë thuaja është legalizuar dhe askush nuk i nënshtrohet përgjegjësisë për shpifje , ndërhyrje në familje apo rrënim të personalitetit . Kohë më parë , pa asnjë arsye, u linçua publikisht gazetari Berat Buzhala që e shprehu një mendim pa e fyer askënd dhe pa ia rrezikuar asnjë të drejtë personave tjerë ! Përshkallëzimin e fjalorit fyes , përjashtues , degradues dhe në kundërshtim me të gjitha standardet njerëzore dhe morale e filluan dhe po e legalizojnë ata që duhet , me miratimin e ligjeve , t’i përfaqësojnë dhe t’i mbrojnë intereset e qytetarëve të Kosovës e ata janë deputetët e Kosovës.

Opinioni në Kosovë është i shokuar se sa me një lehtësi të padurueshme , deputetët e Kosovës e fyejnë njëri – tjetrin duke i fyer në baza racore dhe shoviniste për shkak të përkatësisë kombëtare të prindit ( nënës ), apo për shkak të kaluarës së prindit . Është skajshmërisht e pamoralshme të kërkohet diferencim brenda familjes për shkak të një kaluare të prindit sepse , nuk ka prind të keq për fëmijë dhe asnjë fëmijë normal nuk do të diferencohet nga prindi .

Këto janë metoda të ulëta dhe të pamoralshme që luftën politike ta bëni me goditje të familjeve , gërryerje të zorrëve nga e kaluara, aq më parë që mungojnë fakte dhe një vendim të një gjykate për përgjegjësi konkrete të atyre që kërkohet të diferencohen.

Për këtë arsye, KMDLNj ka kërkuar që të miratohet Ligji për Lustracion të Figurave Publike në mënyrë që të mos përballemi me situata që tani i kemi dhe , nëse autoritetet përgjegjëse nuk ndërmarrin masa ligjore , pasojat do të jenë të rënda kur as viktimat në njerëz nuk mund të përjashtohen. KMDLNj kërkon nga këta politikanë e deputetë që po i fryejnë zjarrit të përshkallëzimit të situatës, të vënë gishtin në kokë , t’i kthehen detyrimeve që e kanë fituar me mandat të qytetarit dhe të ndërprejnë arrogancën e tyre verbale , të mos fyejnë në baza fetare , racore , etnike dhe gjinore , ndryshe përgjegjësia për pasojat do të bjenë mbi ta .

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut kërkon hetime për kërcënime me jetë ndaj Hashim Thaçit , Shpend Ahmetit , Albin Kurtit dhe Naim Tërrnavës sikur edhe ndaj të gjithë atyre që kërcënohen për shkak të lirisë së fjalës dhe shprehjes së lirë të mendimit nëse edhe nëse me atë mendim nuk pajtoheni. Nga të kërcënuarit , tre janë politikanë ndërsa vetëm njëri është udhëheqës fetar dhe dikush që është prapa këtyre kërcënimeve , duke i vënë në lojë studentët e Universitetit të Prishtinës dhe vet Universitetin , po e luan një lojë shumë të rrezikshme të përçarjes nëbaza fetare . Të drejtat dhe liritë fetare në Kosovë janë të rregulluara me ligj dhe askush nuk është i diskriminuar për shkak të përkatësisë fetare apo besimit . Politizimi i fesë dhe vënia e besimit në shërbim të politikës dhe për shkaqe politike ka ndikuar dhe po ndikon në përshkallëzimin e fjalorit të dhunshëm dhe për pasojë i kemi kërcënimet ndaj udhëheqësve politikë dhe fetarë sikur që do të kemi edhe në të ardhmën nëse autoritetet përgjegjëse nuk marrin masa parandaluese apo ligjore ndaj atyre që u vërtetohet fajësia . Nëse diversiteti fetar në Kosovë deri me tani është llogaritur si vlerë , tash po llogaritet si mundësi destabilizimi të situatës , me pasoja të paparashikueshme. Pëprdorimi i standardeve të dyfishta është diskriminues kurse përdorimi i standardeve të dyfishta në fushën e të drejtave fetare , në një vend me më shumë se tri besime fetare është shumë i rrezikshëm aq më parë kur politika ngatërrohet në këtë çështje , për përfitime politike , elektorale , materiale apo të biznesit. Ky rast i kërcënimit dhe rastet tjera duhet të hetohen dhe vetëm pas përfundimit të hetimeve , gjykata përkatëse është ajo që e përcakton fajësinë apo pafajësinë e të dyshuarve !

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme