Transferimi i Neymar te PSG, çështje ditësh

18:37 | 31 Korrik 2017
Arbresh.info

Ylli brazilian pritet t’i jep lamtumirën Barcelonës.

Neymar shumë shpejt do të bëhet futbollist i Paris Saint-Germain dhe këtë më së miri e tregon fakti që ai nuk është kthyer me pjesën tjetër të skuadrës nga Miami në Barcelonë, por ka udhëtuar së bashku me babanë e tij drejt Katarit, ku do të takohet me presidentin e klubit parisien, Nasser Al-Khelaifi.

PSG ka pranuar të paguajë klauzolën prej 222 milionë eurosh për brazilianin, derisa Neymar me kontratën e re do të përfitojë 30 milionë euro në sezon.

Të sigurt e merr transferimin e Neymar edhe e përditshmja katalanase Sport, që shkruan se 25-vjeçari ka vendosur t’i bashkohet skuadrës nga Parc des Princes.

Neymar pritet që në ditët në vazhdim t’i nënshtrohet testeve mjekësore para se të prezantohet edhe zyrtarisht si futbollist i PSG-së, njëherësh duke u bërë edhe futbollisti më i shtrenjtë në historinë e futbollit./Arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme