Rezerva për rrymë vetëm edhe për disa javë

18:37 | 31 Korrik 2017
M. A.

Drejtori i Korporatës Energjetike të Kosovës, Arben Gjuka, ka thënë se Kosova mund të përballet me terr energjetik për disa javë nëse nuk gjendet zgjidhja për nisjen e gërmimeve në fshatin Hade.

“Rezervat që kemi mjaftojnë për disa javë, por ne jemi duke punuar me një plan emergjent”, ka thënë drejtori i KEK’ut.

Ai ka deklaruar se deri tani kanë bërë gjithçka ka qenë në thirrjen ligjore të tyre për të arritur marrëveshje me banorët për zhvendosje, por se nuk kanë pasur përkrahjen e nevojshme.

“KEK ka nisur procedurat tash e katër vjet për shpronësim. Por menjëherë ka hasur në kundërshtim nga Ministria e Mjedisit, që e ka kundërshtuar këtë proces. Kemi hasur edhe në rezistencë të banorëve, që nuk kanë lejuar implementimin e planit të zhvendosjes. Pas dy herësh që dështuam, të tretën herë shkuam me polici, por prapë pa rezultat”, ka thënë Gjuka në InfoMagazine.

“Rezervat që kemi mjaftojnë për disa javë, por ne jemi duke punuar me një plan emergjent. Nga mesi i javës do të dalim me këtë plan. Ne jemi në përfundim edhe të planit të arritjes së një marrëveshje me disa nga banorët, në mënyrë që më pastaj të mund të vazhdojmë ndoshta me punën”.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme