Google ADS

Trump, “Obamacare” duhet lënë të dështojë vetë

00:28 | 30 Korrik 2017
Trina Galanxhi

Presidenti Donald Trump dhe republikanët në Kongres pësuan dje një disfatë të rëndësishme politike, kur Senati nuk miratoi rrëzimin e pjesshëm të programit të shërbimit shëndetësor Obamacare, që ka qenë një ndër premtimet kryesore të fushatës së tij presidenciale.

Vota vendimtare ishte e Senatorit republikan John McCain, i cili e ka kundërshtuar zotin Trump në të kaluarën.

Në një fjalim për zyrtarët e zbatimit të ligjit në shtetin e tij New York, Presidenti Trump shprehu irritimin me disfatën republikane në Senat për ligjin e kujdesit shëndetësor.

“Megjithëse nuk mund të arrijmë çdo gjë, duhet ta kishin miratuar mbrëmë ligjin për kujdesin shëndetësor. E kam thënë që në fillim, lëreni njëherë programin Obamcare të dështojë dhe pastaj ndryshojeni. Pata të drejtë. Lëreni të dështojë”, tha Presidenti Trump.

Përpjekja e republikanëve për të anuluar Obamacare dështoi për pak vota, pasi Senatori John McCain dhe dy republikanë të tjerë iu bashkuan demokratëve.

Xhirimet nga salla e Senatit e tregojnë Senatorin McCain duke diskutuar projektligjin me Nënpresidentin Mike Pence.

Pak më vonë, Senatori nga Arizona hodhi votën vendimtare që rrëzoi në mënyrë dramatike planin republikan, duke shkaktuar habi dhe pasthirrma në Senat.

Humbja erdhi pas disa ditësh votimesh të organizuara nga udhëheqësi republikan, Senatori Mitch McConnell.

“Votuesit tani kanë vuajtur mjaft nga Obamacare. Menduam se ata meritojnë më shumë”, tha Senatori McConnell.

Pak ditë më parë, Senatorit McCain iu bë një pritje e ngrohtë nga kolegët, kur ai u rikthye në Senat pas një operacioni për kancer dhe bëri një zotim emocional për të qëndruar mbi linjat partiake.

“Çfarë humbasim nëse përpiqemi t’i gjejmë zgjidhjet së bashku? Nuk arrijmë shumë të veçuar”, deklaroi Senatori McCain.

Vota e tij që hodhi poshtë planin e ri për kujdesin shëndetësor është vetëm kapitulli më i fundit i një armiqësie që filloi dy vite më parë, kur zoti Trump, atëherë kandidat për President, ngriti pikëpyetje mbi statusin e heroit ushtarak të zotit McCain, i cili i pati mbijetuar mbi pesë vjet burgimi në Vietnam.

“Ai është hero lufte pasi u kap rob. Mua më pëlqejnë njerëzit që nuk kapen rob”, u shpreh më 18 korrik 2015 zoti Trump.

Pasi u bllokuan përpjekjet e republikanëve, udhëheqësi demokrat në Senat, Chuck Schumer, tha se tashmë ka ardhur koha për një qasje dypartiake.

“Meqë nuk ka arritur shumë, shpresoj që Presidenti Trump tashmë të veprojë ndryshe, në një mënyrë dypartiake. Duke filluar nga qendra dhe jo nga ekstremi i djathtë”, tha Senatori Schumer.

Zyra e zotit McCain njoftoi se Senatori 80-vjeçar do të rikthehet në Arizona ku do të fillojë kurimin për një formë agresive të kancerit në tru që iu zbulua vetëm këtë muaj.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme