Rrezet e diellit të rëndësishme por edhe të rrezikshme

12:50 | 29 Korrik 2017
Arbresh.info

Rrezet e diellit janë të domosdoshme për jetën e njeriut, por ato mund të jenë edhe të rrezikshme. Rrezet e diellit ndihmojnë sistemin imunitar në sintetizimin e vitaminës D që është e domosdoshme për sistemin skeletor.

Mirëpo, doktoresha Mybera Ferizi, dermatovenerologe, shpjegon edhe rreziqet që vijnë nga rrezet e diellit nëse njeriu i ekspozohet shumë.

Ajo në një intervistë  thotë se mbrojtja e syve dhe pjesës ballore të kokës konsiderohet të jetë e një rëndësie të veçantë.

Për të parandaluar më të keqen, por edhe rrezikun eventual që mund të paraqesin rrezet e diellit për trupin e njeriut, Ferizi thotë se mjafton që ekspozimi në diell të bëhet në periudha të caktuara.

Doktoresha Ferizi thekson se për të mbrojtur lëkurën nevojitet edhe kujdesi dhe trajtimi i saj, duke thënë se kompanitë farmaceutike kanë bërë mjaft hulumtime për të ofruar kremra që shërbejnë si filtër për mbrojtjen e lëkurës nga rrezet e dëmshme të diellit.

Ndërsa shton se nga gjashtë tipet e lëkurës që kanë njerëzit, tipi i parë dhe i dytë i përbërë nga personat me lëkurë dhe flokë të çelët, janë personat me ndjeshmërinë më të madhe nga rrezet e diellit.

Ajo rekomandon syzet për diell dhe kapelat për të mbrojtur ato zona të ndjeshme e njëherit sugjeron edhe veshjen e rrobave të bardha prej pambuku e me mëngë të gjata, për qëndrimin në diell, në ambientet jashtë bregdetit.

Për faktin se rrezet e diellit mund të jenë po aq të mira e ndonjëherë edhe të rrezikshme, doktoresha Ferizi thotë se ka disa sëmundje të lëkurës ku personat e prekur nga to nuk rekomandohen të dalin në diell, por ka edhe persona të cilët mund t’i gëzohen diellit, pasi që rrezet e tij mund të përmirësojnë gjendjen e lëkurës së tyre.raporton indeksonline

Sipas dermatovenerologes Ferizi, lëkura ka një ndjeshmëri edhe ndaj ujit të detit pasi lëkura thahet dhe kështu këshillon që të bëhen dushe të rregullta pas larjeve në ujërat e detit.

Ajo i kushton rëndësi edhe kujdesit të lëkurës për më të vegjlit, me ç’rast porositë prindërit apo kujdestarët e tyre të kenë kujdes që të mos ekspozojnë fëmijët në diell në periudha të gjata kohore dhe jo në diellin e fortë./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme