Brigada e zjarrfikësve në Ferizaj me kushte të rënda pune

21:29 | 28 Korrik 2017
Arbresh.info

Në rastet kur ndodhin zjarre apo aksidente trafiku, ndërhyrja e zjarrfikësve është e domosdoshme.
Por brigada e zjarrfikësve në Ferizaj nuk mund ta kryejë gati asnjë prej këtyre detyrave. Në qytetin e madh kosovar, Brigada e Zjarrfikësve ka vetëm një automjet. Madje edhe ai ishte i prishur deri para disa ditësh. Për shkak të mungesës së pajisjeve, zjarrfikësit rrezikojnë edhe jetën.

Senat Musliu, zjarrfikës në Ferizaj, ditë më parë u lëndua teksa intervenonte në një banesë ku kishte rënë zjarr. Senati dyshoi se brenda kishte një fëmijë.

Senat Musliu, zjarrfikës deklaroi se u mungojnë kushtet elementare për punë e në shumë raste, u prishjen edhe makineritë intervenuese.

“Kjo makineri mbrapa meje shërben për të intervenuar në ndërtesat e larat, sot ekipi i zajrrëfikësve në Ferizaj janë duke e bërë testimin e saj, sepse edhe pse është e vetme që dy muaj ka qenë jashtë”, tha ai.

Në përpjekje për të kryer punën, zjarrfikësit rrezikojnë edhe jetën e tyre. E megjithatë nuk mund të japin shumë ndihmë.

Halil Osmani komandanti i Brigadës së Zjarrëfikësve në Ferizaj, tha se problem për zjarrfikësit mbetet mos përcaktimi i përgjegjësive të institucioneve komunale dhe qendrore.

Pagat ata i marrin nga komuna, kurse pushimet dhe nevojat e tjera duhet t`i kërkojnë nga Ministria e Brendshme. Në komunë e dinë situatën e tyre, por në mungesë të buxhetit, nuk mund t`ua plotësojnë kërkesat.

Zjarrfikësit në Ferizaj ka vite që funksionojnë me vështirësi. Ata nuk kanë sigurim shëndetësor, nuk paguhen për orët shtesë e as për ndërrimet e natës. Ferizajt i duhen 100 zjarrfikës për numrin e banorëve që ka, por aktualisht janë vetëm 24 që punojnë me kushte minimale.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme