Ja arsyeja e aksidentit në Prishtinë

18:56 | 28 Korrik 2017
Arbresh.info

19 persona kanë vdekur dhe mbi 2700 të tjerë janë lënduar gjatë aksidenteve të trafikut që kanë ndodhur në rajonin e Prishtinës që nga janari i këtij viti.

E hiç më larg se mbrëmë, gjatë orëve të para të mëngjesit, katër persona mbetën të vdekur si pasojë e një aksidenti të rëndë në rrethrrotullimin në kryeqytet.

Shefi i Njësisë së Hetimit të Komunikacionit Rrugor, Nazmi Zogaj ka thënë se dyshohet se shkaktari kryesor i këtij aksidenti të rëndë është tejkalimi i shpejtësisë së lejuar në këtë rrugë.

“Të gjitha aksidentet që përfundojnë me fatalitet ose shumica prej tyre shkaktar kryesor e kanë tejkalimin e shpejtësisë. Edhe në këtë aksident dyshohet se shpejtësia ka qenë e tejkaluar për rrugën ku ka qenë duke lëvizur automjeti”.

Zogaj që është i ftuar në Info Magazine të Klan Kosovës ka thënë se një shkaktar tjetër i këtij aksidenti tragjik mund të jetë edhe mungesa e ndriçimit.

“Është e vërtetë se në këtë rrethrrotullim ekzistojnë disa reflektorë por në ditën kritike nuk kanë qenë në funksion, sa i përket arsyes se pse nuk kanë punuar, duhet biseduar me institucionet që i mbikëqyrin”.

Megjithatë sipas Zogaj, hetimet për këtë aksident janë duke vazhduar akoma dhe deri tani mund të flitet vetëm për dyshime, dhe jo një version zyrtar përfundimtar.

“Ne fillimisht nisemi nga dëshmitë që kanë qenë në vendin e ngjarjes, një prej atyre ka qenë tejkalimi i shpejtësisë”.

“Më pas bëhen hetime shtesë, edhe nga ekpertizat e Prokurorisë dhe Gjykatës, të gjitha këto më pas përmblidhen dhe në fund japim një version zyrtar”.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme