BE ktheu 42 mijë shqiptarë

16:46 | 26 Korrik 2017
Arbresh.info

Bashkimi Europian ktheu mbrapsht 42 mijë e 600 emigrantë ilegalë nga Shqipëria gjatë vitit të kaluar. Lajmin e ka bërë publik Instituti Europian i Statisitikave, i cili raportoi se shqiptarët kryesojnë listën e kthimeve nga vendet e BE me diferencë të madhe nga vendet e tjera.

Sipas Eurostat, gjatë vitit 2016, vendet e Bashkimit Europian urdhëruan kthimin e 226 mijë emigrantëve të paligjshëm në total. Ky është numri më i lartë që nga viti 2008, kur Eurostat nisi të publikojë statistikat për hyrje daljet e emigrantëve dhe çdo një në pesë të kthyer ishte shqiptar, shkruan Tch.

Pas shqiptarëve, në vendin e dytë renditen emigrantët nga Ukraina me 22 mijë e 600 të kthyer. Iraku mban vendin e tretë me 17 mijë e 100 emigrantë të riatdhesuar, ndërsa në vendin e katërt renditet një tjetër shtet shqiptar, Kosova me mbi 13 mijë riatdhesime.

Të dhënat zyrtare tregojnë se shqiptarët vazhdojnë të emigrojnë me ritme të larta drej vendeve të Bashkimit Europian. Sipas Eurostat, vetëm në tre vitet e fundit 2014-2016, në vendet e BE-së kanë hyrë mbi 118 mijë emigrantë të paligjshëm nga Shqipëria.

Shumica dërrmuese e tyre, përkatësisht 101 mijë vetë janë kthyer mbrapsht me forcë, një proces i cili vazhdon edhe gjatë 2017-ës.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme