Google ADS

Kurti: Vetëvendosje në zgjedhje të reja do të dilte me 40 deputetë

13:56 | 26 Korrik 2017
Arbresh.info

Kandidati i Lëvizjes “Vetëvendosje” për kryeministër, Albin Kurti, ka thënë se “Vetëvendosja” tani ka fuqi të mjaftueshme për ta ndalur “PDK-në e vogël”, siç e quan ai dhe për t’u bërë gati për zgjedhje të shpejta nëse mbesin në opozitë.  E nëse do të kishte sërish zgjedhje të reja, sipas Kurtit, “Vetëvendosja” do të dilte me mbi 40 deputetë.

“Këtë e dinë edhe subjektet e tjera, prandaj po përpiqen medoemos të shmangin përsëritjen e zgjedhjeve”, ka thënë ai.

Zëri: Nëse eventualisht kemi krijimin e një qeverie me shumicë të thjeshtë, pra 61 deputetë apo diçka më shumë, cila do të ishte forca e saj në çuarjen e agjendave të mëdha përpara?

Kurti: Ajo do të ishte një situatë e lehtë për “Vetëvendosjen”, por e vështirë për Kosovën. Sepse ajo qeveri do të ishte qeveri e dobët karshi nesh, por e rrezikshme karshi qytetarëve të Kosovës. Ne si opozitë me 32 deputetë do të mundë ta bënim dyfishin e asaj që kemi bërë më parë. Kjo do t’i përshpejtonte zgjedhjet e reja dhe po të përsëriteshin zgjedhjet, Lëvizja do të dilte me mbi 40 deputetë. Këtë e dinë edhe subjektet e tjera, prandaj po përpiqen medoemos ta shmangin përsëritjen e zgjedhjeve.

Mbi të gjitha, më duhet të flas nga këndvështrimi i të mirës së Kosovës. E nga ky këndvështrim, vendit dhe popullit tonë nuk i duhet as edhe një javë vonesë. Qeveria e lëvizjes “Vetëvendosje” duhet të krijohet një orë e më parë, pasi shtresat e ulëta nuk po kanë bukë të hanë, e shtresat e mesme gjithnjë e më shumë po shndërrohen në shtresa të ulëta. Kur nuk ka fituar lëvizja “Vetëvendosje” në të kaluarën, shumë më tepër ka humbur populli i Kosovës sesa Lëvizja jonë. Por, edhe kur të qeverisë “Vetëvendosja” shumë më tepër fitojnë qytetarët e Republikës sesa Lëvizja jonë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme