Vushtrri-Mitrovicë, krijohen kolona të gjata

01:50 | 26 Korrik 2017
Trina Galanxhi

Në magjistralen Prishtinë – Mitrovicë, më saktësisht në hyrje të Vushtrrisë ka nisur të asfaltohet rruga, aty ku deri tani shkaktoheshin kolona të gjata.

Por kjo nuk e ka zgjidhur akoma problemin, pasi në këtë pjesë ka ende kolona goxha të gjata.

Islam Latifi nga Drejtoria e Shërbimeve Publike në Vushtrri ka thënë se në këtë pjesë po punohet edhe gjatë natës, në mënyrë që ky projekt të kryhet sa më parë.

“Kemi insistuar që të punohet edhe në orët e vona në mënyrë që sa më shpejtë të mbyllet ky projekt. Kemi pasur vonesa me telashet me shpronësim, por kemi qenë në kontakt me Ministrinë e Infrastrukturës, edhe me Trafikun Rajonal dhe kemi bërë presion tek kompania që të punojë edhe në orët e vona që të përfundojë ky projekt”.

Por Latifi në Kosova Direkt të Klan Kosovës nuk ka dhënë një datë përfundimtare se kur pritet të përfundojë ky projekt.

“Është duke u shtruar shtresa e dytë e asfaltit derisa shtresa finale pritet të shtrohet në fundjavë, një segment prej 100 metrash do të mbesë i paasfaltuar për shkak të problemeve të shpronësimit”.

Ai ka treguar poashtu se përparësitë e këtij rrethrrotullimi janë të mëdha, pasi sipas tij, do të lehtësojnë trafikun dhe pritet që të ndikojë në zvogëlimin e numrit të aksidenteve.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme