Gjashtë vjet nga aksioni policor në veri, mungojnë rezultatet

20:00 | 25 Korrik 2017
Arbresh.info

Sot janë bërë 6 vjet që kur me vendim të kryeministrit të atëhershëm Hashim Thaçi, Njësia Speciale e Policisë së Kosovës kishte hyrë në veri për të marrë nën kontroll dy pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak, dhe për të kthyer sovranitetin në atë pjesë të vendit, ku u vra polici Enver Zymberi.

Megjithatë, edhe pas kësaj kohe ende nuk është kthyer sovraniteti i plotë, pasi menjëherë pas atij aksioni u patën bllokuar shumë rrugë me barrikada, derisa siguria e lëvizjes ende mbetet e brishtë.Derisa, nga udhëheqësit e shtetit ky aksion shihet si bashkim i Kosovës, ata të partive politike e quajnë këtë veprim të pamatur dhe politiko-avanturesk.

Në këtë përvjetor, ndërkohë Policia e Kosovës ka paraparë që me datën 26 korrik të zhvillojë disa aktivitete për të nderuar policin e vrarë Enver Zymberi. Në një përgjigje me shkrim, zëdhënësi i PK-së Daut Hoxha tha për KosovaPress, se aktivitetet për këtë datë nuk do të mungojnë. “Policia e Kosovës, sikurse edhe herave tjera për nder të përvjetorit të 6-shtë të rënies së Heroit të Kosovës, Enver Zymberi, do të zhvillojë aktivitetet e saj për të nderuar dhe përkujtuar veprën dhe heroizmin e tij”, tha Hoxha. Kreu i shtetit Hashim Thaçi, i cili në atë kohë ishte kryeministër i vendit, përmes rrjetit social Facebook, 25 korrikun e quajti ditë të bashkimit të Kosovës. “Në çdo 25 korrik e kujtojmë me krenari heroin e pavarësisë, Enver Zymberin.

Ai ra heroikisht në krye të detyrës, duke mbrojtur kushtetutshmërinë dhe sovranitetin e shtetit tonë. Njësitë speciale të Policisë së Kosovës morën nën kontroll pikat kufitare 1 dhe 31 dhe kjo ishte edhe Dita e Bashkimit të Kosovës. Enveri do të kujtohet gjithmonë për guximin e dëshmuar në mbrojtjen e Republikës së Kosovës”, ka shkruar Thaçi. Por, sikurse presidenti Thaçi, rrjetin social Facebook kishte zgjedhur edhe kandidati i Vetëvendosjes Albin Kurti për ta përkujtuar aksionin e 25 korrikut, duke thënë se kryeministri i atëhershëm, Hashim Thaçi, që nisi aksionin në veri edhe e ndërpreu atë, duke e braktisur kësisoj çështjen Zymberi, duke u dorëzuar përballë kriminelëve e duke mos i gjetur fajtorët.

“Gjashtë vite më parë, në 25 korrik 2011, u vra në krye të detyrës polici i Kosovës, Enver Zymberi. Enver Zymberi ishte pjesëtar i forcave speciale. Ai u vra në një aksion që synonte vendosjen e sundimit të ligjit në veri të vendit tonë.

Rrethanat e vrasjes së Enver Zymberit, si dhe autori apo autorët e vrasjes së tij, edhe sot ende nuk dihen. Kryeministri i atëhershëm, Thaçi, e ndërpreu aksionin për vendosjen e rendit dhe ligjit në veri të vendit tonë edhe pse pati thënë fjalë të mëdha. Po ashtu, ai e braktisi dhe çështjen Zymberi, duke u dorëzuar përballë kriminelëve e duke mos i gjetur fajtorët”, ka shkruar Kurti, në profilin e tij Facebook. Ndërsa, Rexhep Selimi deputet i Vetëvendosjes në legjislaturën e ardhshme, e ka quajtur këtë aksion veprim politiko-amatoresk.

“Sot bëhen 6 vite nga veprimi policor i qeverisë së atëhershme të Kosovës në veri të vendit. Nga kreu i qeverisë së atëhershme u proklamua si aksion i suksesshëm në shtrirjen e sovranitetit të vendit në komunat veriore të vendit të cilat, sikurse edhe sot, ishin jashtë kontrollit të shtetit të Kosovës. Siç u pa atëherë dhe siç edhe e pranuan ministri i atëhershëm i brendshëm dhe kryeministri i atëhershëm, aksioni ishte i pa menduar mirë, pa plan operacional dhe pa mjetet e nevojshme për realizimin e një veprimi policor”, ka shkruar Selimi. Madje, Selimi, këtë veprim e ka quajtur avanturesk, që mori jetën e një oficeri të policisë.

“Ky veprim politko-avanturesk doli të ishte fatal për jetën e një oficeri policie dhe për sovranitetin e integritetin territorial në pjesën veriore të vendit. Atë ditë, një aventurë politike e kryeministrit të atëhershëm i kushtoj me jetë oficerit të Policisë së Kosovës Enver Zymberi dhe Kosovës i kushtoi me ndarje edhe me të theksuar se sa që ishte. Prandaj, sot 6 vite me vonë, në dritën e veprimeve që ndodhen që nga ngritja e barrikadave në 2011-ten e deri të konspiracionet me murin të ura e Ibrit dhe me “trenin rus’, po rezulton se krejt kjo çfarë ndodhi atje ishte i planifikuar dështimi i policisë dhe i shtetit të Kosovës”, ka shkruar me tutje ai. Megjithatë, sipas Selimit, në këtë datë, e kujtojnë me respekt dhe e çmojnë sakrificën e secilit polic të Kosovës qe u treguan të gatshëm t’i dalin në mbrojtje vendit, kushtetutës dhe ligjit.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme