Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ka vazhduar gjykimi ndaj ish-rektorit të Universitetit të Prishtinës (UP), Enver Hasani.
Përveç Hasanit, aktakuza e Prokurorisë Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) përfshinë edhe Haki Veliun dhe Albert Rakipin, të cilët akuzohen se kanë kryer veprën penale “mashtrim në detyrë”.
Në këtë gjykim, dha mbrojtjen e tij drejtori i Institutit për Studime Ndërkombëtare (ISN), Albert Rakipi.
Gjatë marrjes në pyetje, Rakipi tregoi se pasi që ISN-ja është njoftuar se është fitues i tenderit, ai ka njoftuar zëvendësdrejtorin Jorgji Qirjako, që të kontaktojë me autoritetin kontraktues- Universitetin e Prishtinës për të nënshkruar kontratën.
Sipas të pandehurit Rakipi, Qirjako pas nënshkrimit të kontratës në Prishtinë, ka konstatuar se e njëjta përmban probleme serioze që lidhen me njësinë matëse dhe me shërbime të tjera të përfshirë në kontratë.
“Arsyeja themelore që ne kemi kërkuar të ndryshohen disa nga nenet e kësaj kontrate kishin të bënin me atë që kontrata ishte krejtësisht e pazbatueshme”, tha Rakipi.
Më tutje, ai shtoi se nëse UP-ja nuk do të pranonte këto ndryshime, ISN-ja nuk do të fillonte me zbatimin e kontratës.
Më 8 dhjetor të vitit 2008, Qirjako ka përfunduar negociatat me UP-në, ku kanë rënë dakord për ndryshimet e propozuara nga ISN-ja. Ndërsa më 13 dhjetor të po atij viti, Rakipi tha se ka nënshkruar kontratën unike, e cila pas negocimeve kishte pësuar ndryshimet vetëm në një nen.
Rakipi gjatë dhënies së deklaratës së tij tha se ka shumë pak njohuri rreth tenderit dhe se me një çështje të tillë është marr zëvendësdrejtori Qirjako.
Në vazhdim Rakipi theksoi se tenderi ka qenë i shpallur në njësinë matëse me fjalë e jo me karakter. Sipas tij, oferta e përgatitur nga ekspertë të ISN-së ka qenë 12.65 euro për një faqe që përmban 10000 karaktere.
Ndërsa, në pyetjet e parashtruara nga prokurorja speciale, Drita Hajdari, Rakipi deklaroi se ishte në dijeni lidhur me mesazhet elektronike të shkëmbyera në mes të të pandehurit Veliu dhe Qirjakos, pasi që ndonjëherë edhe ai ka qenë pjesë e mesazhit.
Në një nga mesazhet drejtuar të pandehurit Enver Hasani, Qirjako kishte shkruar se në të gjithë botën njësia matëse është karakteri. Në këtë mesazh, Qirjako kishte njoftuar se kjo njësi e kërkuar është mjaftë e lëvizshme dhe nuk mund të përdoret në këtë kontratë.
Në pyetjet e prokurores speciale Hajdari, Rakipi u përgjigj se nuk e kishte parë kontratën fillestare, në të cilën njësia matëse ishte fjalë.
Mirëpo, Rakipi tha se kontratën e ndryshuar me karaktere e kishte pranuar nga Qirajko.
“Vetëm një juristë me tru pule do të mendonte se unë mund të falsifikoj një kontratë për të cilën palët kishin rënë dakord” u përgjigj Rakipi pasi u pyet nga prokurorja lidhur me dëshmitë e të pandehurve.
Rakipi, gjithashtu deklaroi se është takuar me Hasanin, ku ky i fundit, sipas tij, ka qenë i painformuar për kontratën dhe kushtet e saj, sa që kishte menduar se ISN-ja do t’i shtypte edhe librat, përderisa kjo përgjegjësi i përket UP-së. Lidhur me këtë, Rakipi theksoi se UP-ja i ka mbetur borxh këtij instituti për kontingjentin e dytë të librave.
Pas marrjes në pyetje të të pandehurit Rakipi, para trupit gjykues dha dëshminë e tij zëvendësdrejtori i ISN-së Jorgji Qirjako, i cili bëri të ditur se ndjek sektorin e kontratave dhe të financave.
Në pyetjet e prokurores speciale Hajdari lidhur me tenderin e shpallur nga UP-ja, Qirjako tha se ky tender kishte të bënte me përkthimin e librave nga gjuha angleze në gjuhën shqipe.
Sipas Qirjakos, kushtet e këtij tenderi lidheshin me çmimin dhe cilësinë e përkthimit.
ISN-ja e kishte përcaktuar çmimin me karakter, përderisa UP-ja në template-in e vet e kishte përcaktuar çmimin e përkthimit në fjalë.
Qirjako shtoi se për fitimin e tenderit e kishte njoftuar i pandehuri Haki Veliu, me anë të e-mail-it. Në këtë drejtim, Qirjako theksoi se pas nënshkrimit të kontratës ka marrë edhe dy kopje të saj, mirëpo të njëjtën nuk e ka lexuar me arsyetimin se është nënshkruar me mirëbesim.
Pas nënshkrimit të kontratës, Qirjako tha se kishin ndryshuar gjëra themelore duke përfshirë edhe çmimin e përkthimit dhe shpenzime të tjera, të cilat e ngarkonin ISN-në më shumë. Andaj kontrata, sipas tij, ishte e pazbatueshme.
Qirjako shtoi se më pas kishte kontaktuar me anë të e-mail-it të pandehurin Hasani, ku kishte paraqitur vërejtjet për kontratën. Pas kësaj, ai bëri të ditur se i pandehuri Veliu e kishte kontaktuar Qirjakon për ta pyetur lidhur me vërejtjet.
Sipas Veliut, kjo kontratë do të ndryshohet nga “fjala” në “karakter”, mirëpo lidhur me dy nenet tjera nuk mund të ndryshohet asgjë për shkak se është vendim i bordit të UP-së.
Më 13 dhjetor 2008, Qirjako ishte takuar me dy përfaqësues të UP-së, e që ishin i pandehuri Hasani dhe tani rektori i UP-së, Marjan Dema. Në këtë takim, Qirjako kishte marr kontratën në një zarf të mbyllur dhe e kishte dërguar të njëjtën për ta nënshkruar i pandehuri Rakipi.
“Kontrata në fjalë është zbatuar nga UP-ja vetëm për kontingjentin e parë të librave ku janë përfshirë gjithsej 8 libra të përkthyera me 7000 mijë faqe në vlerë prej 80 mijë eurove”, tha Qirjako
Përderisa UP-ja nuk ka paguar shërbimet e kontingjentit të dytë, ku janë përfshirë 21 libra të përkthyera me 23 mijë faqe në vlerë prej 290 mijë eurove. Lidhur me këtë, Qirjako tha se Instituti ka kërkuar kompensim nga UP-ja që një kohë të gjatë.
Qirjako tha se i kishte shkruar edhe prorektorit për Mësimdhënie dhe Kërkime Shkencore në atë kohë, Bajram Berishës. Mirëpo, ky i fundit i kishte thënë se për 30 mijë faqe të përkthyera kushton 40 mijë euro dhe për ta zgjidhur këtë çështje me marrëveshje, Berisha kishte propozuar që me të njëjtin çmim Instituti të përkthente edhe 30 mijë faqe tjera.
Lidhur me kompensimin e kësaj shume, Qirjako shtoi se Instituti ka bërë padi civile për gjyq.
Në fund, lidhur më propozimet e prokurorisë speciale, gjykata vendosi të refuzoi dëgjimin e dëshmitarit, Marian Dema, me arsyetimin se deklarata e tij është lexuar në shqyrtim gjyqësor dhe si e tillë është provë e papranueshme.
Ndërsa, sa i përket rivlerësimit të vendimeve përkatësisht mesazheve elektronike në mes të të pandehurit Veliu dhe dëshmitarit Qirjako, gjykata do të vendos në shqyrtimet e radhës.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), pretendon se Enver Hasani në cilësinë e rektorit të UP-së, Veliu në cilësi të shefit të Zyrës së Prokurimit në UP dhe Ragipi në cilësi të drejtorit të Institutit për Studime Ndërkombëtare (ISN) me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror për këtë Institut, kishin falsifikuar kontratën origjinale lidhur me përkthimin e disa librave nga gjuha angleze në atë shqipe.
Sipas aktakuzës, të njëjtit kishin hartuar edhe një kontratë të re, duke shfrytëzuar numrin e njëjtë të protokollit nga kontrata origjinale.
Sipas kontratës origjinale, vlera e saj kishte qenë 500.000 euro, përkatësisht çmimi i pagesës për njësi 1000 fjalë 12.65 euro e stipuluar me nenin 17, ndërsa në kontratën e re sipas prokurorisë, kjo pjesë është ndryshuar në 1000 karaktere për 12.56 euro.
Biden zhvlerësoi urdhrin e Gjykatës Ndërkombëtare për arrest...
Vrasja te lokali “Kobra City”, Babai i viktimës: Më ka ik fë...
Vdes rreshteri i Policisë së Kosovës
Akuzohet për vrasje, “Kobra”: Nuk ndihem fajtor
Me pranga në duar e me 4 avokatë në mbrojtje, “Kobra...
Dita e Alfabetit Shqip, Begaj: Gjuha e shqiponjave do të mbi...