Lista Srpska: E votojmë qeverinë e kujtdo që i ka 51 vota

18:26 | 25 Korrik 2017
Arbresh.info

Presidenti i Listës Serbe, Goran Rakiq, ka thënë sot se përfaqësuesit e kësaj liste do të paraqiten për verifikim të mandatit në seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës, e caktuar për 3 gusht, por ka shtuar se nuk kanë vendosur se a do të përkrahin apo kë do të përkrahin për kryetar të Parlamentit dhe formim të Qeverisë.

Rakiq, pas takimit të sotëm të Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, i ka thënë televizionit publik serb se pret që partitë parlamentare shqiptare të merren vesh dhe t’i zgjidhin problemet mes njëra-tjetrës.

“Lista Serbe nuk do të jetë ‘bira e fundit e kavallit’ për formimin e Qeverisë. Ajo që ka rëndësi është se Listës Serbe nuk do t’i interesojnë funksionet e as numri i mandateve ministrore. Neve na intereson jeta më e mirë e popullit serb, goran, boshnjak, rom… dhe natyrisht se s’do të ndërmarrim vendime të shpejta, por do të konsultohemi me Beogradin dhe vetëm atëherë do të dalim me qëndrimin tonë”, ka thënë Rakiq, transmeton Koha.net.

Ai pret që partitë shqiptare të dëshmojnë se kanë përkrahjen e 51 përfaqësuesve në Kuvend dhe pas kësaj mund të presin mbështetjen e Listës Serbe e cila ka nëntë përfaqësues, ndërsa në grupin parlamentar do ta ketë edhe një përfaqësues nga radhët e goranëve.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme