Google ADS

Zgjedhjet lokale, ja kur pritet që të fillojë fushata

18:26 | 25 Korrik 2017
Arbresh.info

Vendi ka hyrë në 10 ditët e fundit të afatit të paraparë me kodin zgjedhor për shpalljen e zgjedhjeve lokale të cilat janë caktuar të mbahen më 15 tetor.

Kreu i Kuvendit, Talat Xhaferi ka paralajmëruar se më 6 gusht do ti shpall ato , që i bie në çastet e fundit të afatit minimal. Sipas kodit zgjedhor në fuqi, zgjedhjet lokale duhet të shpallen 90 ditë ose më së voni 70 ditë para ditës së votimit.

Afati 90 ditor ka filluar të rrjedh që nga 15 korriku, ndërsa kanë ngelur edhe rreth 80 ditë, deri më 15 tetor. Afati i fundit për shpalljen e zgjedhjeve skadon pikërisht më 6 gusht. Zgjedhjet i shpall kryetari i Kuvendit, ndërsa menjëherë pas nënshkrimit të vendimit, Komisioni Shtetëror Zgjedhor fillon me procedurat për organizimin e fushatës dhe mbajtjen e zgjedhjeve lokale, të cilat për shkak të situatës politike janë shtyrë disa muaj nga afati i paraparë fillimisht. Fushata parazgjedhore për rrethin e parë të zgjedhjeve lokale hapet 20 ditë para ditës së votimit, gjeqësisht më 25 shtator. Në 24 orët e fundit para ditës së votimit dhe ata ditë nuk lejohet mbajtja e fushatës apo ndonjë formë tjetër e propagandimit partiak.

Ajo që i karakterizon këto zgjedhje lokale është riformatimi i skenës politike shqipare si dhe beteja vendimtare thuajse për të gjitha partitë politike.

Për partinë në pushtet, BDI-në këto zgjedhje do të jenë vendimtare pasi mbahen pas zgjedhjeve parlamentare në të cilat kjo parti humbi gjysmën e deputetëve dhe nëse shënon rrezultat të dobët do të jenë fatale për zgjedhjet e ardhëshme parlamentare.

Për Lëvizjen Besa do të jenë përcaktuese për fuqinë dhe pozitën e kësaj partie në skenën politike në të ardhmen dhe do të kenë impakt edhe në zgjedhjet e ardhëshme parlamentare.

Për partitë e tjera të cilat morën numër më të vogël të deputetëve si partitë e koalicionit Aleanca për Shqiptarët dhe Partinë Demokratike Shqiptare të Menduh Thaçit, zgjedhjet lokale do të jenë një betejë për mbijetesë në skenën politike në Maqedoni.

Në këto zgjedhje do të mbetet edhe beteja etnike për Strugën dhe Kërçovën, veçanërisht pas pastrimit të fundit të listës së votuesve ku nga këto dy komuna janë fshirë një numër i madh i votuesve shqiptar, kryesisht mërgimtarë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme