Shqipëri, 11 vatra të zjarrit

11:54 | 25 Korrik 2017
Arbresh.info

Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë territorin Shqipërisë janë shënuar 11 vatra zjarri në disa qarqe të vendit. Në operacionet për shuarjen e flakëve janë angazhuar mbi 156 zjarrfikës me 18 automjete, 10 forca vullnetare, 78 forca të ushtrisë, si dhe helikopterë.

Specialistët e Emergjencave Civile janë duke mbajtur situatën nën monitorim të vazhdueshëm. Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile përsërit thirrjen ndaj të gjithë qytetarëve që në rast se konstatojnë zjarre të njoftojnë menjëherë në numrat 112, 129 dhe 128.

Qarku Gjirokastër – Në fshatin Luzat, bashkia Tepelenë, u rindez përsëri vatra e zjarrit e shuar para dy ditësh. U ndërhy me forca të zjarrfikëses dhe personel të ushtrisë duke shuar plotësisht flakët. Si pasojë e zjarrit u dogjën rreth 0,4 ha me shkurre e ferra, kurse rreth 3 ha janë përshkuar nga zjarri.

Në fshatin Alipostan, bashkia Përmet, ra zjarri në një ndërtesë të pabanuar në pronësi të një shtetasi. Zjarrfikësit me mjete kanë ndërhyrë duke shuar flakët. Si pasojë u dogj banesa, 1 ha me shkurre dhe pyll lisi, si dhe rreth 25 pemë frutore. Nga zjarri nuk pati njerëz të lënduar.

Qarku Lezhë – Në fshatin Malaj, bashkia Mirditë u rindez përsëri zjarri i rënë në pyllin me pisha. Në ndihmë të zjarrfikësve e forcave pyjore shkuan 30 forca ushtarake, të cilët së bashku me helikopterin, arritën të shuajnë zjarrin plotësisht. Si pasojë është djegur një sipërfaqe e konsiderueshme me shkurre e ferra.

Në fshatin Shebe, bashkia Mirditë, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me pyll pishe. Pas ndërhyrjes së zjarrfikësve flakët janë vënë zjarrin nën kontroll. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe rreth 1 ha me pyll pishe.

Qarku Elbasan – Në malin e Vinës, Kodovjat, bashkia Gramsh, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me pyll ahu dhe lisi. Kanë ndërhyrë zjarrfikësit me mjete duke shuar zjarrin. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe rreth 5 dynym me pyll ahu dhe lisi.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme