Deputetët komentojnë punësimet e fundit në RTK, kërkojnë hetime

09:26 | 25 Korrik 2017
Arbresh.info

 

Sindikata e pavarur e Radio Televizionit të Kosovës përmes një komunikate për media ka shprehur shqetësimin për punësimet që janë bërë në RTK pa konkurs dhe mbi baza familjare, shkruan arbresh.info

Lidhur me këtë, ish anëtarët e komisionit për media në kuvendin e Kosovës në një prononcim për arbresh.info kanë komentuar këto punësime duke e hedhur fajin tek menaxhmenti  dhe bordi i RTK-së, ata kanë kërkuar nga prokuroria e shtetit që të merret me këtë rast.

Deputeti nga Nisma Për Kosovën Zafir Berisha i pyetur se si i komenton punësimet në RTK, tha se modeli i menaxhimit të këtij institucioni është modeli më i poshtër se çfarë bëhet me institucionet e shtetit, ai i ka bërë thirrje prokurorit të shtetit Aleksandër Lumezi që t’i hetojë këto punësime.

“Unë edhe kur kam qenë deputet edhe në seanca plenare kur është diskutuar raporti  për  RTK-në edhe në komision edhe në debate e kam shpreh qëndrimin tim, bandat  e krimit të organizuar si në RTK që janë ose modeli më i poshtër i menaxhimit të institucionit publik është RTK-ja,  nuk ka shtet, të gjitha ato që po diskutohen në publik kryeprokurori duhet të marrë masa në fakt me dhjetëra herë është fol për krim të organizuar në RTK dhe për shkelje ligjore e prokuroria ka hesht”, deklaroi Berisha.

Lëvizja Vetëvendosje  çdo herë ka qenë kritike lidhur me punësimet në televizionin publik, ata madje e quanin këtë televizion si televizioni i PDK-së dhe i familjarëve,  deputetja nga kjo parti Shqipe Pantina, tha se faji për punësimet në RTK pa konkurs dhe pa kritere i ka menaxhmenti dhe bordi.

“Punësimet e fundit te bëra ne RTK jo vetëm qe është veprim i papranueshëm duke dite vështirësitë financiare qe janë krijuar nga keq menaxhimi ne këtë institucion, por është edhe i paligjshëm. Bordi i RTK si organ me i larte mbikëqyrës duhet urgjentisht të ndërhyjë dhe të ua ndërpres kontratat këtyre njerëzve te angazhuar pa konkurs e pa kritere dhe mbi te gjitha pa ndonjë vlerësim të nevojës për punëtorë të rinj. Përgjegjësia për shkatërrimin e institucionit te RTK nuk është vetëm e menaxhmentit, por edhe e bordit që kanë lejuar të krijohet kjo gjendje dhe çdokush duhet të jap llogari për këtë”, është shprehur Pantina.

Ajo ka ftuar prokurorinë e shtetit që të nisë hetimet në lidhje me këto keqpërdorime në televizioin publik.

“Ndërsa unë ftoj prokurorinë e shtetit që sa më pare te filloj hetimet për gjithë këto keqpërdorime ne RTK sepse vetëm kështu do mund te ndalej shkatërrimi i plotësishëm i këtij institucioni i cili është prone e publikut”, shtoi tutje Pantina.

Punësimet në RTK nuk kanë dashur t’i komentojnë anëtarët e komisionit nga PDK dhe LDK me arsyetim se nuk kanë informacion për to.

Deputeti dhe anëtari i komisionit nga radhët e PDK-së Zenun Pajaziti tha se “nuk mundem ta komentoj këtë pasi që nuk kam informata”.

Njëjtë është përgjigjur edhe deputeti i LDK-së Sadri Ferati i cili tha “nuk kam informacione për këto punësime pasi që ne qe dy muaj nuk jemi në komision, e pashë në portale por nuk e di gjendjen reale”./arbresh.info/

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme