Në edicionin e pesëmbëdhjetë të Universitetit Veror të Prishtinës, që fillon aktivitetin e tij më 1 deri më 15 korrik, kanë aplikuar rreth njëmijë të rinj, prej të cilëve 200 janë aplikantë ndërkombëtar.
Universiteti Veror i Prishtinës për vitin 2015, ka gjithsej 13 kurse, të fushave të ndryshme të studimit. Çdo kurs ligjërohet nga dy profesorë, një ndërkombëtar dhe një vendor.
Programi për këtë edicion përmban ligjërata të rregullta, të cilat do të zgjasin nga ora 09:00 deri në 12:00.
Pjesë e tij janë parashikuar të jenë edhe punëtori, forume dhe aktivitete të tjera kulturore dhe sportive, si dhe disa vizita nëpër qytete të ndryshme të Kosovës.
Sipas zyrtares për marrëdhëniet me jashtë të Universitetit Veror të Prishtinës, Bleranda Dragushës, interesimi për UVP-në është i konsiderueshëm, sidomos nga studentët kosovar, transmeton KosoLive.
“Duke parë UVP-në si mundësi të mirë për të përfituar nga bagazhi akademik i ligjëruesve ndërkombëtar dhe vendor, gjithashtu edhe si mundësi në krijimin e kontakteve me profesorë dhe studentë të tjerë, veçanërisht ata ndërkombëtar, interesimi është rritur gradualisht,“ tregon Bleranda.
20 vjeçarja, Endrita Shabanaj, studente e Fakultetit të Letërsisë dhe Gjuhës Angleze, ka qenë pjesë e edicionit të kaluar të UVP-së. Ajo thekson se ka përfituar njohuri të reja dhe mënyra e mësimit ka qenë kreative dhe interesante.
“Ka qenë eksperiencë interesante për mua, sepse mësimi është zhvilluar në mënyra në të cilat nuk jam mësuar. Jam njoftuar me profesorë të huaj dhe studentë të moshës sime. Mendoj që në UVP duhet të aplikojnë sa më shumë studentë, sepse nuk do t’i bien pishman”, rrëfen Endrita.
Universiteti Veror financohet nga buxheti i Universitetit të Prishtinës ‘’Hasan Prishtina’’ dhe nga donatorë të ndryshëm si: Ministria e Arsimit, e Shkencës dhe Teknologjisë, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Ministria e Punëve të Jashtme, Komuna e Prishtinës, Ambasada Franceze si dhe nga disa biznese vendore.
UVP-ja prej disa vitesh ka nisur bashkëpunimin me universitete të ndryshme të botës, të cilat e promovojnë atë në shtetet e tyre.
Zyrtarja për marrëdhënie me jasht në UVP, Bleranda Dragusha, pohon për KosovaLive se qëllimi i themelimit të Universitetit Veror të Prishtinës është sjellja në Kosovë e studentëve dhe profesorëve nga vende të ndryshme të botës, në mënyrë që të mundësohet shkëmbimi i përvojave.
“UVP-ja tashmë është kthyer në një projekt me jetëgjatësi dhe nga më prestigjiozët në Kosovë. E rëndësishme është se studentët e suksesshëm përfitojnë 4 ECTS (kredite), të cilat mund t’i transferojnë në universitetet ku studiojnë”, ka shpjeguar Bleranda.
Në këte edicion ka aplikuar dhe është pranuar dhe Kulmita Kajtazi, studente e gazetarisë.
“Është hera e parë që kam aplikuar dhe jam pranuar. Shpresoj të jetë një përvojë e suksesshme për mua”. ka theksuar ajo.
Edicioni i parë i Universitetit Veror të Prishtinës është mbajtur në vitin 2001.
Tenderët njëburimor, Murati: Përqindja më e madhe ka qenë më...
Irani konfirmon se do t’i diskutojë çështjet bërthamore me t...
NALT: FSK ballafaqohet me sfida të mëdha drejt transformimit...
Parashikimi i motit për pesë ditët e ardhshme
Me flamujt kuq e zi në duar/ Mijëra shqiptarë presin Ramën n...
Guardiola pas humbjes nga Tottenham: Ne do të ngritëmi