Senati i Universitetit të Prishtinës, do të vendosë javën e ardhshme për numrin e studentëve të rinj që do të pranohen në vitin akademik 2015/2016.
Javën e ardhshme, Universiteti i Prishtinës do të publikojë numrin e studentëve, që do të pranojë për vitin e ri akademik 2015/2016. Prorektorja për mësimdhënie në Universitetin e Prishtinës, Eda Vula, tha për Radio Kosovën, se kanë kërkuar nga njësitë akademike, që të dërgojnë propozimet e tyre, duke theksuar se këtë vit numri i studentëve do të jetë më i vogël.
Prorektorja Vula, tha se në konkursin e këtij viti, do të ketë më pak vende në Fakultetin Ekonomik dhe Juridik.
Ministri i Arsimit, Arsim Bajrami, tha për Radio Kosovën, se do të studiojnë propozimet e Universiteteve publike për konkursin e sivjetmë, duke theksuar se Ministria ka dhënë instruksionet e saj për të zvogëluar numrin e studentëve për shkenca shoqërore dhe duke rritur numrin e tyre për shkenca ekzakte.
“Ky proces po fillon tani, me konkursin e muajit korrik do të shihni ndryshimet, ku do të shkurtojmë numrin e studentëve për Juridik, Ekonomik, Shkenca Shoqërore e Filozofike, e do të rrisim numrin e studentëve për shkenca ekzakte. Ky është një orientim i mirë, sepse jemi duke e përshtatur sektorin e arsimit nevojave të tregut të punës.”
Ministri Bajrami, theksoi se Universitetet Publike tashmë do të specializojnë fusha të caktuara, duke mos përsëritur programet e njëri-tjetrit.
“Secili Universitet ka marrë instruksionet prej ministrisë që të specializojë e mos të ketë propozime të programeve. Dëshiroj që për tre katër vite këto gjashtë universitete që kemi të jenë të specializuara, p.sh atë që ofron Peja të mos ofrojë edhe Gjakova, Prizreni, Gjilani apo Mitrovica. Dëshirojmë të krijojmë universitete të specializuara për nevojat e tregut të punës.”
Ministri i Arsimit, Arsim Bajrami, theksoi se Qeveria është e vendosur të orientojë universitetet drejt zhvillimit ekonomik, por edhe të sigurojë sa më shumë punësim.
“Kemi pasur një trend jo të mirë ku kemi krijuar elita akademike të papuna, kemi krijuar mijëra ekonomistë, juristë, politikologë e filozofë, ndërsa nuk kemi investuar tek ekspertët e profileve teknike, tha ministri Bajrami.
Edhe 17 ditë afat për certifikim të partive, ende asnjë apli...
USAID 25 vjet në Kosovë, Ambasada amerikane: Riafirmim i për...
Izraeli urdhëron evakuime në disa zona të Gazës, nxit një va...
Nwaneri në histori të Arsenalit, Arteta me fjalë të mëdha pë...
LDK sot në Malishevë me “Turneun e Ndryshimit”
Rama në Londër: Nisëm ligjore për të regjistruar fëmijët e s...