Serbia vazhdon të bllokojë marrëveshjen për energji

09:57 | 24 Korrik 2017
arbresh.info

Marrëveshja e energjisë është negociuar për më shumë se gjashtë vjet dhe ende nuk mund të zbatohet, shkruan arbresh.info.

Serbia është duke e bllokuar atë duke mos lejuar që kompania e re të regjistrohet në Kosovë në pajtim me Ligjet e Kosovës ashtu siç parashihet me marrëveshjen e energjisë të arritur në vitin 2013.

“Në terma konkretë, kompania e re, si një degë e një kompanie serbe, po refuzon të përmendë në Kosovën si shtetin ku do të operoj, në statutin saj, pavarësisht faktit se marrëveshja kërkon respektimin e Ligjeve të Kosovës,” thuhet në raportin e Ministres për Dialog, Edita Tahiri, drejtuar Angelina Eichhorst, Drejtoreshë për Ballkanin Perëndimor në Shërbimin e Veprimit të Jashtëm Evropian të Bashkimit Evropian.

Ministrja Tahiri  beson se prapa këtyre pengesave qëndron mosgatishmëria e Serbisë për të zbatuar marrëveshjen e energjisë, për shkak të interesave të saja politike dhe ekonomike.

“Kjo jo vetëm që ka cenuar sistemin energjetik të Kosovës, por edhe sigurinë rajonale të energjisë, si dhe agjendën rajonale të gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor (Procesit të Berlinit) mbi konektivitetin rajonal në fushën e energjisë.”

Nga ana tjetër, Kosova mban mbi supet e saja stabilitetin rajonal të energjisë në dëm të saj, megjithëse mund të aplikojë në mënyrë legjitime masat e reciprocitetit, duke qenë se Kosova përkatësisht KOSTT ka fituar ligjërisht kontestin në vitin 2008, kur Sekretariati i Komunitetit të Energjisë mori vendimin që Serbia ka shkelur Traktatin e Athinës në raport me Kosovën.

Nëse vonesat vazhdojnë, ministrja Tahiri paralajmëron se Kosova do të detyrohet të zbatojë reciprocitet kundër Serbisë, meqenëse pas 9 viteve të të drejtave të saja të njohura ligjërisht, ajo ka legjitimitet për të mbrojtur sovranitetin e saj mbi sistemin energjetik të saj./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme