Fakulteti i Arteve i ka bërë 42 vjet, ende nëpër objekte të huaja

18:01 | 21 Qershor 2015
Arbresh.info

Studentët e Fakultetit të Arteve në Universitetin e Prishtinës po përballen me probleme të natyrave të ndryshme si mungesa e mjeteve teknike dhe hapësira e mjaftueshme akustike.

Studentët e këtij fakulteti ende studiojnë në klasa me dimensione 4 me 3 metra katror. Fakulteti i Arteve, përkundër faktit që është themeluar qe 42 vjet dhe është njëri nga fakultetet e para të themeluara ende nuk ka objekt të vetin, studimet bëhen në tri objekte të ndryshme, në kushte të cilat nuk janë aspak të përshtatshme për të studiuar.

Artistët e ardhshëm po ndihet të lënë anash dhe të harruar nga Dekanati i Universitetit të Prishtinës dhe institucionet e tjera arsimore në vend.
Njëra nga to është edhe Njomza Krasniqi, e cila është në vitin e dytë, të studimeve në degën e violinës. Ajo thotë se vitin e kaluar kanë mbajtur shumë pak mësim për shkak të mungesës së ngrohjes në klasa dhe të shumë problemeve tjera me të cilat po përballen çdo ditë.
“Krejt klasat për shkak që nuk janë të izoluara krejt dëgjohen në mes vete kur të ushtrojnë. Shumë shpesh, duhet me mbajt mësim me profesoreshën deri në 2 të natës për shkak që nuk kemi pas kohë dhe hapësirë edhe për me ushtru edhe krejt sepse ka mësim deri vonë deri në 7-8 mbrëmje edhe tani duhet me ndejt deri në mesnatë”, tha Krasniqi.

Krasniqi thotë se janë ankuar disa herë që t’ua ndërrojnë objektin, por deri më tani nuk ankesat e tyre nuk i ka dëgjuar askush.
“Nuk është veç puna e hapësirës po nuk po mundemi me dalë shumë shpesh edhe në koncerte për shkak që nuk kemi sallë koncertale, ku mundemi me majtë koncerte ma shpesh. Objektin s’besoj që do të na ndërrojnë po të paktën me pas një hapësirë një kat, veç për ushtrime një kat veç me mbajt mësim dhe me pas secili orarin e vet të ushtrimeve”, ka shtuar Krasniqi.

Ndërsa Besa Luzha, shefe e drejtimit të pedagogjisë muzikore në Fakultetin e Arteve, thotë se gjithmonë kanë qenë në objekte që i kanë takuar dikujt tjetër. Luzha thotë se i mbajnë ligjëratat në kushte të pa favorshme për studime artistike.
“Çdo instrument që është frymor duhet ta ketë klasën e vet, çdo instrument harkor duhet ta ketë klasën e vet duhet të ketë hapësirë për muzikë kamertale, duhet të kemi sallë koncertale, duhet të kemi kabinet për mësimdhënësit, sallë ku studentët mund të dëgjojnë muzikë, të lexojnë, të punojnë në kompjuter, të studiojnë, nuk ka thjesht hapësirë”, tha Luzha.
Ajo thotë se hapësira është e pa mjaftueshme për t’i mbajt orët e lëndëve kolektive dhe individuale dhe se ambienti është i papërshtatshëm për mësim me zyra të vogla dhe klasa të errëta.

“Ndonjëherë ne akuzohemi se po kërkojmë më shumë në kuptimin që tash e keni objektin, po nuk mjafton objekti nëse nuk është edhe infrastruktura përcjellëse. Brenda një shtëpie siç është Universiteti i Prishtinës, një fakultet mundet pesë herë me i ndrru xhamat, fasadën me u pajis, e ne si fakultet, nuk kemi mundësi me pas hapësirën që kemi nevojë. Unë, mendoj që koha ka ardhur më në fund jo vetëm ta kemi objektin, po secili departament që është brenda fakultetit tonë ka nevojë ta ketë shtëpinë e vet në kuptimin edhe të hapësirës po edhe të strukturave që e menaxhojnë”, tha Luzha.
Ajo thotë se Universiteti i Prishtinës, nuk mund të sillet si nënë me disa fakultete, me disa si njerkë. Luzha thotë se ka kolegë në Fakultetin Ekonomik, që qeshin me të, kur ankohet që nuk ka ende kompjuter dhe kabinet.

“Artit figurativ i duhen krejt komplet hapësirë tjetër, neve na duhen hapësira të izoluara akustikisht, Ne, në këtë objektin qe jemi po t’i hapesh dritaret andej ka ministria nuk mundesh fare me mbajt mësimin, po të mbyllesh dritaret nuk mundesh prej temperaturave të larta që janë në klasë, nuk ka ajër të kondicionuar, nuk ka hapësirë. Gjendja është alarmuese dhe unë mendoj, që institucionet edhe Universiteti se e ka obligim në fund të fundit se edhe ofron këto studime, se nëse i ofron duhet të mendoj që t’i ofron mirë, jo shkel e shko. Studimet e artit, o duhet të ofrohen qysh duhet ose Universiteti duhet te heq dorë të thotë nuk ofroj studime sepse nuk kam kushte”, ka shtuar Luzha.
Luzha thotë s e duhet të ndërtohet një objekt i ri, dhe të rritet buxheti sepse tani për tani, buxheti që i ndahet Fakultetit të Arteve, është shumë i vogël dhe nuk mjafton sepse specifikat janë të ndryshme.

E si duket Fakulteti i Arteve edhe këtë vit do të përballet me të njëjtat probleme pasi që UP për sivjet nuk ka paraparë investime në këtë fakultet.
Këshilltari për media i rektorit të UP-së Durim Berisha, ka thënë për KosovaPress, se Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” nuk ka paraparë investime kapitale të dedikuara për Fakultetin e Arteve për këtë vit dhe vitin e ardhshëm buxhetor.
“Momentalisht jemi duke punuar në ridizajnimin e plotë të projektit për kampusin Universitar në të cilin do të përfshihen të gjitha nevojat e njësive akademike”, ka thënë Berisha nëpërmjet postës elektronike.

Zyrtarë të Ministrisë së Arsimit, pavarësisht insistimit të KosovaPress, nuk kanë kthyer përgjigje për këtë çështje./KP/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme