Google ADS

Rritet me 11 % numri i shtetasve të huaj që hyjnë në Shqipëri

14:14 | 20 Korrik 2017
Arbresh.info

Numri i shtetasve shqiptarë dhe të huaj të hyrë në territorin shqiptar në muajin qershor 2017, sipas të dhënave të publikuara nga Instituti i Statistikave, është 816.877. Krahasuar me qershorin e 2016-ës, ky tregues rezulton me rritje 8,0 %.

Referuar raportit mbi “Lëvizjen e shtetasve”, publikuar të enjten nga INSTAT, numri i shtetasve të huaj të hyrë në vend është 437.820 dhe krahasuar me qershorin e 2016-ës, ky numër është rritur me 11,0 %.

Numri i vizitorëve të huaj të hyrë në Shqipëri për qëllime pushimi dhe vizita ditore në muajin qershor 2017, rezulton 207.972, ndërsa në qershor 2016 ky numër ishte182.606 duke shënuar një rritje me rreth 13,9 %.

Sipas INSTAT, numri i shtetasve të huaj të hyrë në Shqipëri për qëllime biznesi përbën 1,6 % të hyrjeve të shtetasve të huaj, duke shënuar një rritje prej 12,6 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Shtetasit shqiptarë dhe të huaj të dalë nga vendi gjatë muajit qershor 2017 janë 771.980, duke shënuar një rritje me 5,4 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Hyrjet e shtetasve shqiptarë dhe të huaj në muajin qershor 2017, në rrugë tokësore zënë peshën më të madhe të hyrjeve gjithsej me 76,9 %, ndërsa hyrjet në rrugë ajrore zënë 14,7 % dhe detare zënë 8,4 %.

Numri më i madh i hyrjeve të shtetasve të huaj në vendin tonë, në muajin qershor 2017 rezulton nga Kosova me 31,0 %, pasuar nga hyrjet e shtetasve të huaj nga Maqedonia me 12,1 %, Greqia me 9,2 % Italia 7,5 %, etj.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme