Merkel i kërkon Irakut të hetojë pretendimet për abuzim të të drejtave të njeriut

19:26 | 19 Korrik 2017
Arbresh.info

Kancelarja gjermane Angela Merkel i bëri thirrje presidentit irakian Haidar al-Abadi për të hetuar abuzimet e pretenduara të të drejtave të njeriut që ndodhën gjatë operacioneve ushtarake për të rifituar kontrollin e qytetit të Mosulit nga militantët e Shtetit Islamik.

Merkel telefonoi al-Abadin për ta përgëzuar atë për fitoren e forcave irakiane të mbështetura nga SHBA në Mosul, duke e quajtur atë një “hap të madh përpara në luftën kundër Shtetit Islamik”, tha në një deklaratë zëdhënësi i saj Steffen Seibert, transmeton portali arbresh.info.

Udhëheqësja gjermane gjithashtu inkurajoi Abadin që të hetojë pretendimet për abuzimet e të drejtave të njeriut që dolën pas operacioneve ushtarake, tha Seibert.

“Abuzimet e tilla të të drejtave të njeriut duhet të parandalohen në të ardhmen”, tha Seibert.

Amnesty International javën e kaluar tha se taktikat e përdorura nga forcat irakiane dhe koalicioni i tyre i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara në betejën për Mosulin shkelin ligjin ndërkombëtar humanitar dhe mund të përbëjnë krime lufte./Arbresh.info

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme