Google ADS

Shteti s’ka para për pensionet e veteranëve

13:04 | 19 Korrik 2017
L G

Çdo muaj Kosovës i shtohen afro 1000 veteranë. Nga janari i këtij viti deri në fund të qershorit 31,953 veta kanë përfituar pensione të luftës.

Por, një rrezik i madh i pret të gjithë këta nga mesi i gushtit, thonë në Ministrinë e Financave të Kosovës.

Vetëm deri atëherë në buxhetin e shtetit ka para për ti paguar pensionet e veteranëve të luftës.

“Mjetet e buxhetore për vitin 2017 janë në shumën prej 38 € milion e cila shumë nuk mjafton për përmbylljen e vitit, por vetëm për pagesat e muajit korrik dhe një pjesë për muajin gusht, sigurimi i mjeteve për këtë kategori është vendim politik”, tregon Muharrem Shahini, zyrtar për informim në këtë institucion.

Ndërsa sipas tij nga fillimi i vitit “është rritur numri i përfituesve dhe është duke u rrit për çdo muaj”. Por, përfaqësueseve të veteranëve nuk duket se u intereson nëse ka apo jo buxhet shteti t’ua paguaj pensionet.

Hysni Gucati, kryetar i Shoqatës së Veteranëve të UÇK-së, thotë se për muajin qershor i kanë marrë pensionet, ndërsa për muajin korrik do ti marrin me 24 korrik.

“Është e vërtetë se po flitet se nuk do të këtë mjete për pensionet e këtyre invalidëve, por unë jam shume optimist se do të ketë mjete për këto pensione, pasi qe dje jam takuar edhe me sekretarin dhe kam marre premtime qe ka mjete”, ka thënë Gucati për Gazetën Fjala.

Ata paralajmërojnë protesta nëse preken interesat e tyre.

“Nëse preken interesat e veteranëve të UÇK-së, pavarësisht se nuk e preferojmë do të dalim në rrugë dhe do të protestojmë”, thotë ai.

Numri i veteranëve sipas muajve

Janar – 28,631 përfitues

Shkurt – 28,562 përfitues

Mars – 28,625 përfitues

Prill – 29,601 përfitues

Maj – 31,023 përfitues

Qershor – 31,953 përfitues

Kurse, sekretari i Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, Izedin Bytyqi,  në një prononcim për media ka pranuar faktin se ende nuk e dinë se ku do t’i marrin këto para, pasi ende Kosova nuk e ka një Kuvend funksional që do të bëjë rishqyrtimin buxhetor.

Ai ka thënë se kanë varur shpresat në Ministrinë e Financave që do t’u gjejë zgjidhje të paktën për muajin korrik, duke paralajmëruar edhe vonesa në lëshimin e këtyre pensioneve për këtë muaj.

FMN alarmonte për numrin e veteranëve

Rritja e pakontrolluar e numrit të veteranëve që përfitojnë pensione kishte shqetësuar çdo herë edhe  Fondin Monetar Ndërkombëtar. Madje ky institucion kishte ngritur edhe alarme duke I bërë me dije qeverisë së Kosovës së po rrezikohen merr veshjet.

FMN pati bërë me dije se për tu ruajtur kjo marrëveshje është ndryshimi i ligjit për veteranët.

“Është e vetmja çështje që po e mbanë peng marrëveshjen me FMN-në dhe nëse nuk ndryshohet ligji për veteranët atëherë Kosova do të del nga programi”,  patën thënë zyrtarë nga FMN-ja për Gazetën Fjala.

Drejtues të FMN në Kosovë kanë potencuar në takimet që kanë zhvilluar me krerët institucionalë në vend se  është e domosdoshme ri-shikimi i listave.

FMN-ja ka konsideruar se numri prej 46 mijë veteranësh është tepër i lartë dhe shkakton probleme buxhetore për Kosovën.  /Gazeta Fjala/.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme