Zbulohet skandali në Gjermani, mbi 500 djem janë abuzuar në kishë

23:41 | 18 Korrik 2017
Trina Galanxhi

Sipas autoriteteve, më shumë se 500 djem të korit të Regensburger Domspatzen në Gjermani u abuzuan fizikisht ose seksualisht. Lajmi evidentohet në një raport të publikuar se fundi.

The Guardian shkruan se abuzimet kanë ndodhur nga viti 1945 deri në vitin 2015. Mësuesit e kësaj shkolle kanë abuzuar mbi nxënësit në mënyre sistematike, duke e kthyer kështu shkollën në një burg, kamp përqendrimi apo ferr.

Raporti prej 440 faqesh tregon dhunën e mësuesve në shkollën në Regensburg që ushtrojnë mbi djemtë duke përfshirë shuplakat në fytyrë aq shumë sa që shenjat mund të shihen të nesërmen, duke i rrahur me shkopinj prej druri dhe harqe violine apo edhe duke i goditur me sende të forta.

Djemtë që u përpoqën t’i shpëtonin korit të Regensburger Domspatzen u thirrën përsëri në shkollë ku u rrahën dhe u poshtëruan para djemve të tjerë, thuhet në raport.

Sipas BBC thuhet se 49 anëtarë të Kishës Katolike janë paditur se kanë abuzuar, por që ka të ngjarë që ata të mos përballen me akuzat, pasi kanë kaluar shumë vite. Nga 547 djem që janë dhunuar fizikisht 67 prej tyre janë abuzuar seksualisht gjatë gjashtë dekadave, shkruhet në raportin e hartuar nga avokati Ulrich Weber.

Georg Ratzinger, 93 vjeç, vëllai i ish-papës Benedikti XVI, udhëhoqi korin nga viti 1964 deri në vitin 1994. Ai pranoi se në vitin 2010 kishte goditur nxënësit në fytyrë, por se e gjitha kjo ka qenë që nxënësit të mësonin.

Edhe pse mësuesit e tjerë të shkollës kanë qenë në dijeni të këtyre abuzimeve ata kanë pranuar të heshin duke u bërë kështu palë me dhunuesit.

Avokati Ulrich Weber është shprehur se nuk ka mundur të kontaktojë ose të fliste drejtpërdrejt me nxënësit të cilët janë dhunuar dhe abuzuar.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme