Google ADS

Komunat e Kosovës nuk dinë t’i menaxhojnë pronat

21:09 | 18 Korrik 2017
Arbresh.info

Komunat assesi nuk po dinë si t’i menaxhojnë pronat e tyre. Ajo që është më e keqja disa komuna nuk kanë fare pronë komunale, kurse prona shoqërore menaxhohet prej Agjencisë Kosovare të Privatizimit.

Këto të gjetura janë bërë nga Instituti për Studime të Avancuara, GAP

‘’Komunat më së shumti hasin në vështirësi sa i përket menaxhimit me pronën komunale, apo më saktë mungesa e pronës e cila mund t’i ofrohet investitorëve. Shumë komuna nuk kanë fare pronë komunale, kurse prona shoqërore menaxhohet nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP)’’, bëhet e ditur në raportin e Institutit për Studime të Avancuara.

Edhe ligji për dhënie në shfrytëzim dhe këmbim të pronës së paluajtshme të komunës parasheh procedurat për bartjen e pronësisë nga AKP tek komunat.

Mirëpo komunat ankohen se ky proces merr kohë të gjatë dhe nuk mund t’i përgjigjen me kohë kërkesë të investitorëve potencial, transmeton Indeksonline.

Problem tjetër del të jetë edhe furnizimi me ujë. Pavarësisht se me ligjin për vetëqeverisje lokale, furnizimi me ujë thuhet se është nën kompetencën e komunave, furnizimi me ujë bëhet nga kompanitë rajonale të ujësjellësve, aksionar i së cilave është Ministria e Zhvillimit Ekonomik, siç bëhet e ditur nga GAP.

‘’Në bazë të pronësisë, gjashtë nga shtatë KRU-të janë në pronësi të Qeverisë së Kosovës, ndërsa vetëm KRU Bifurkacioni është në pronësi lokale (Komuna e Ferizajt dhe Komuna e Kaçanikut)’’

As me menaxhim të mbeturinave Komunat nuk qëndrojnë më mirë. Menaxhimi i tyre me nenin 17 të ligjit për vetëqeverisje lokale thuhet se është kompetencë vetanake e komunave, transmeton Indeksonline.

‘’… Por në praktikë, më shumë se kompetencë vetanake, menaxhimi i mbeturinave bie në kompetencë të kompanive rajonale të cilat funksionojnë si shoqëri aksionare. Sipas Ligjit për ndërmarrjet publike, ekzistojnë 11 kompani të mbeturinave, në pesë prej të cilave komunat kanë pronësi 100% (Gjakova, Mitrovica Veriore, Zveçani, Leposaviçi dhe Zhubin Potoku), kurse kompanitë tjera janë kompani rajonale, bordi i të cilave përbëhet nga dy e më shumë komuna’’, bëhet e ditur më tej.

Këto janë vetëm disa prej problemeve me të cilat ballafaqohen komunat në Kosovë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme