Hoxhaj: Qeverinë e formojnë PDK, AAK, Nisma me disa deputetë

16:08 | 18 Korrik 2017
Arbresh.info

“Ne si PDK mendojmë që koalicioni i ardhshëm qeverisës duhet të përbëhet prej PDK-së, AAK-së, Nismës dhe eventualisht ndonjë deputeti i cili do të duhej ta mbështeste formimin e institucioneve së bashku me minoritetet”, ka thënë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës dhe ministri në largim i punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj.

Ai e përjashton mundësinë e krizës rreth formimit të Qeverisë së re, ndërkaq pret që me krijimin e institucioneve Kosova të hyjë në vendimmarrje të rëndësishme, nisur nga demarkacioni me Malin e Zi deri te përmbyllja e dialogut me Serbinë.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Hoxhaj, aktualisht po punohet në konstituimin e institucioneve të reja të Kosovës. Ku qëndron koalicioni PAN me negociata rreth formimit të Qeverisë së re?

Enver Hoxhaj: Ne si Parti Demokratike e Kosovës, së bashku me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismën, kemi mandatuar zotin Kadri Veseli si lider i koalicionit dhe zotin Ramush Haradinaj si mandatar, që të bisedojnë me të gjitha subjektet politike dhe me deputetë të caktuar dhe sipas informatave që i kemi si Kryesi e PDK-së, koalicioni ynë i ka numrat e domosdoshëm për ta konstituuar Kuvendin e Kosovës, për ta zgjedhur kryetarin e Kuvendit dhe për ta formuar Qeverinë. Se kur do të ndodhë, kjo ka të bëj jo vetëm me agjendën politike, por edhe me çështje administrative të cilat duhet t’i kryej Sekretaria e Kuvendit.

Radio Evropa e Lirë: Në vazhdimësi, nga i kandiduari i PAN-it, z.Haradinaj, thuhet se janë krijuar numrat e nevojshëm për formimin e Qeverisë, por nuk është prezantuar ende asnjë koalicion i ri që do të garantonte shumicën parlamentare. Parashihni ju vështirësi dhe krizë eventuale rreth formimit të Qeverisë së re?

Enver Hoxhaj: Ne jemi më se të sigurt që vendi nuk do ta ketë një krizë e cila e ka përcjellë Kosovën në vitin 2014. Në fushatën zgjedhore, por edhe gjatë vitit 2017, qëndrimi ynë si PDK ka qenë që vendi ka nevojë për stabilitet politik, por edhe vendimmarrje dhe dinamizëm. Kështu që më së paku duhet të ketë arsye që vendi të rrëshqas drejt një krize politike, meqë shumica parlamentare e domosdoshme do të jetë në Kuvendin e Kosovës, dhe unë besoj që në një të ardhme të afërt do të ketë zhvillime të cilat do ta përmbyllin procesin e formimit të institucioneve të reja.

Radio Evropa e Lirë: A keni vënë kontakte me LDK-në dhe partitë në koalicionin LAA dhe a shihni ndonjë mundësi të përafrimit me këto parti politike?

Enver Hoxhaj: Ne si PDK mendojmë që koalicioni i ardhshëm qeverisës duhet të përbëhet prej PDK-së, AAK-së, Nismës dhe eventualisht ndonjë deputeti i cili do të duhej ta mbështeste formimin e institucioneve së bashku me minoritetet, të cilat jo vetëm në kuptimin e mbështetjes parlamentare, por edhe për shkak të sistemit tonë politik dhe kushtetues duhet të jenë pjesë e Qeverisë së ardhshme të Kosovës. Ne mendojmë që ky është numri i domosdoshëm.

Mirëpo, në pikëpamjen tonë jemi të mendimit që Kosova ka nevojë që disa prej temave të karakterit konsensual në të ardhmen të mbështeten edhe nga LDK-ja dhe Vetëvendosja. Konkretisht mendoj në përmbylljen e procesit të Demarkacionit të kufirit dhe liberalizimin e vizave, reformën zgjedhore, Asociacionin e komunave serbe, sikurse edhe formimin e Ushtrisë së Kosovës. Përtej asaj se kush do të jetë në Qeveri dhe është e qartë që z.Haradinaj do të jetë kryeministër, kurse PDK-ja do të jetë motori i kësaj Qeverie, jemi të mendimit që Qeveria dhe opozita e ardhshme duhet të gjejnë forcë, vullnet politik dhe të kenë vizion politik për temat e karakterit konsensual dhe këtu z.Haradinaj dhe z.Veseli e kanë mbështetjen tonë që të ulen dhe të bisedojnë me të gjitha subjektet politike, edhe me LDK-në.

Radio Evropa e Lirë: Në rast se Haradinaj nuk e siguron një shumicë të nevojshme parlamentare për formimin e Qeverisë në përpjekjen e parë, do të jetë PDK-ja ajo që do ta mbështeste edhe në tentativën e dytë atë?

Enver Hoxhaj: Qëndrimi ynë është i qartë dhe pozicioni ynë nuk ka ndryshuar dhe nuk do të ndryshojë asnjëherë. Ne mendojmë se vendi ka nevojë për dinamikë të re, vendi ka nevojë për vendimmarrje e cila i adreson disa prej zhvillimeve të cilat kanë mbetur të pa adresuara në këto kohë të fundit dhe zoti Haradinaj e ka profilin, e ka mbështetjen politike dhe jemi shumë të sigurt se në herën e parë do të krijohen institucionet. Ndërsa se kush dhe si mund të krijohen situata të karakterit imagjinar, më shumë i takon Presidentit i cili edhe interpreton dhe zbaton Kushtetutën sesa një subjekti politik si PDK-ja.

Dialogu

Radio Evropa e Lirë: Z.Hoxhaj, nëse mund të kalojmë edhe në çështje tjera që kanë të bëjnë me politikën e jashtme dhe raportet ndërfqinjësore. Së fundit, Presidentët e Kosovës dhe Serbisë u dakorduan për kalimin në një fazë të re të dialogut. Çfarë do të sjellë kjo fazë sipas vlerësimeve tuaja?

Enver Hoxhaj: Në pikëpamjen tonë si Parti Demokratike e Kosovës, por edhe si ministër i Jashtëm, dialogu duhet të jetë pikërisht një temë e cila e ka mbështetjen dhe pajtimin e të gjitha subjekteve politike. Dialogu ka qenë ai i cili e ka ndarë politikën dhe shoqërinë kosovare në 5 apo 6 vitet e fundit dhe është parë që nga temat e politikës së jashtme, siç është dialogu me Serbinë, janë prodhuar kriza të brendshme të cilat realisht kanë pasur ndikim direkt si në stabilitetin e brendshëm po ashtu në performancën tonë të jashtme.

Në ketë drejtim, ne mendojmë që dialogu duhet të kalojë në një fazë të dytë dhe përfundimtare që të përmbyllet komunikimi ynë diplomatik me Serbinë me njohje të ndërsjella dhe me vendosje të marrëdhënieve diplomatike, dhe me një proces të pajtimit në mes të shoqërisë kosovare dhe asaj serbe. Dialogu duhet të jetë një temë ku duhet të kemi konsensus politik, ku Qeveria, Presidenti, opozita duhet të merren vesh rreth qëllimeve , rreth pritjeve, rreth objektivave dhe rreth parametrave dhe vijave të kuqe që duhet t’i ketë dialogu me Serbinë.

Unë kam avokuar një kohë të gjatë që dialogu duhet të kufizohet në kohë dhe duhet të kufizohet në përmbajtje. Dhe, ajo se çka ka bërë presidenti Thaçi është, dhe mendoj se është në interes të Kosovës, dhe ne nuk kemi nevojë që të jemi në një dialog për normalizim me Serbinë në pafundësi, po duhet të limitohet.

Radio Evropa e Lirë: A e shihni të mundur ndryshimin e pozicionit të Serbisë karshi pavarësisë së Kosovës dhe a prisni që Parlamenti serb, ndër hapat e parë në këtë drejtim, ta ndryshojë preambulën e Kushtetutës, ku Kosova paraqitet si pjesë e Serbisë?

Enver Hoxhaj: Mendoj se duhet ta kemi një mendim strategjik të plotë se cilat janë qëllimet të cilat Kosova mund t’i përmbushë në dialog. Cilat janë qëllimet e matshme dhe të mundshme, dhe nuk ka të bëj vetëm me një listë të dëshirave se si e sheh Kosova këtë proces, meqë Kosova është një akter në një dialog të tillë e Serbia është një akter tjetër. Por, rolin vendimtar e kanë faktorët ndërkombëtarë, qoftë partnerët tanë amerikanë e evropianë, por edhe fuqitë e tjera rajonale.

Hapi i parë mund të jetë pikërisht largimi i përmendjes së Kosovë së në preambulën e Kushtetutës së Serbisë. Një hap tjetër i dytë duhet të jetë anëtarësimi i Kosovës në OKB, që do t’i mundësonte shtetit më të ri në Evropë që të jetë pjesë e sistemit ndërkombëtar. Një hap i tretë mund të jetë njohja e ndërsjellë dhe vendosja e marrëdhënieve diplomatike, sikurse edhe një dialog shoqëror i ndërtuar në një agjendë pajtimi në mes të Kosovës dhe Serbisë, për shkak të përpjekjeve për gjenocid dhe krimeve dhe politikës së spastrimit etnik që ka ndjekur Serbia në raport me Kosovën.

Do të thotë, Kosova duhet të hyjë në një dialog të tillë me një agjendë të qartë dhe ma merr mendja që Presidenti i vendit, Kryeministri i ardhshëm, por edhe liderët e opozitës edhe të gjitha subjektet parlamentare duhet ta përmbyllin këtë proces në interes të Kosovës. Për më shumë, dialogun me Serbinë e shoh edhe si pjesë të fazës se fundit të përmbylljes së shtetndërtimit dhe të kompletimit të sovranitetit. Dhe natyrisht që me kompletim të sovranitetit kanë të bëjnë edhe temat e tjera sikurse shënimi i vijës kufitare me Malin e Zi, apo fakti që Kosova nuk ka ende ushtri dhe duhet të ketë ushtri, që është parakusht për t’u integruar në NATO.

Radio Evropa e Lirë: Përmendet anëtarësimin e Kosovës në mekanizmat ndërkombëtarë. Së fundmi po flitet edhe për atë se a do të anëtarësohet Kosova në INTERPOL. Si mendoni ju, a do të ketë vështirësi që Kosova të bëhet pjesë e këtij mekanizmi?

Enver Hoxhaj: Unë çka mund të them është kjo, se cila do të jetë qasja e Qeverisë së ardhshme në raport me anëtarësimin e Kosovës në UNESCO, apo në INTERPOL, është vendim që i takon Qeverisë së ardhshme. Por, si ministër i Jashtëm i cili ende ushtron ketë post, mund të them se Kosova i ka votat që të jetë pjesë edhe e UNESCO-s edhe INTERPOL-it.

Në këta muajt e fundit, në vitin 2017, por edhe në vitin e kaluar, unë kam pasur një agjendë intensive te lobimit, kam vizituar vendet e Afrikës, të Azisë Juglindore, të Amerikës Latine dhe kam qëndruar në shumë vende evropiane dhe natyrisht që sigurimi i votave për UNESCO dhe INTERPOL ka qenë prioritet mbi prioritet. Po përtej votës, Kosova ka nevojë që t’i kryejë edhe disa tema dhe çështje të brendshme, për t’u bërë pjesë e këtyre dy organizatave.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme