Gurthemeli për ndërtimin e xhamisë në lagjen “Dardania” afër Postës së Kosovës ishte hedhur në vitin 2012 por ende nuk ka ndonjë hap konkret për fillimin e punimeve të kësaj xhamie. Kuvendi komunal i Prishtinës pesë vite me radhë nuk ka aprovuar planin e xhamisë, ndërtimi i së cilës parashihet të bëhet nga Bashkësia Islame e Kosovës (BIK).
Lidhur me këtë çështje, zëdhënësi i Bashkësisë Islame të Kosovës, Ahmet Sadriu në një intervistë për Anadolu Agency (AA) tha se që nga tetori i vitit 2012 kur është vënë gurthemeli për ndërtimin e xhamisë gjatë gjithë kësaj përiudhe pesë vjeçare është zhvilluar një procedurë rreth përgatitjes së projektit në detaje.
Sadriu thotë se duke filluar nga zgjedhja e projektit ku kanë punuar komisione të ndryshme, pastaj nga kompletimi i dokumentacionit që është kërkuar nga organet kompetente të komunës që të dorëzohen në komunë dhe së fundmi periudha disa mujore që është dorëzuar përsëri dokumentacioni, BIK’u ende pret për një leje nga Kuvendi komunal për fillimin e ndërtimit të kësaj xhamie.
“Para disa kohësh Kuvendi komunal ka formuar një komision nga arkitektët, disa prej tyre nëpunës të komunës, e që pjesë e këtij komisioni janë edhe dy anëtarë të BIK-ut të cilët janë marrë me këtë çështje dhe ne kemi pritur që ata do të na japin ndonjë përgjigje por ende nuk kemi përgjigje rreth kësaj”, tha Sadriu.
Sadriu potencoi se është biseduar rreth projektit me zyrtarët komunal, ku ata kanë patur disa vërejtje nga vet kryetari i komunës, Shpend Ahmeti me arsyen se projekti nuk përputhet me planin urbanistik të lagjes ku do të ndërtohet xhamia.
Sipas tij, ky justifikim është i papranueshëm sepse vetë kuvendi komunal ka vendosur të ndajë këtë parcelë të qytetit për ndërtimin e xhamisë.
“Për herë të parë në Kosovë në një projekt të madh siç është ky është organizuar një konkurs që ka qenë transparent, ndërkombëtar ku kanë konkurruar një numër i madh i kompanive projektuese vendore dhe të huaja. Kemi patur mbi 110 konkurrentë ku 81 prej tyre janë zgjedhur si projekte të pranueshme”, u shpreh Sadriu.
Më tej duke folur për procedurën e zhvilluar në përzgjedhjen e projekteve, Sadriu njoftoi se në mars të vitit 2013 kanë hapur ekspozitën e cila ka zgjatur një javë dhe ka qenë publike për të gjithë qytetarët. Sadriu tha se qytetarëve u është dhënë mundësia që të votojnë për projektin e pëlqyer nga ana e tyre. Ai po ashtu shtoi se edhe komisioni ndërkombëtar i përbërë nga arkitektët e njohur të Bosnjë e Hercegovinës, Italisë dhe Turqisë si dhe arkitektët e njohur vendor kanë ardhur në përfundim që të zgjidhen 3 projektet kryesore dhe me votat e qytetarëve është zgjedhur projekti i cili mendohet të ndërtohet.
“Ky projekt ka marrë mbi 14 mijë vota që do të thotë se kemi të bëjmë me një projekt që është pëlqyer dhe përzgjedhur nga qytetarët. Nuk është projekt i zgjedhur vetëm nga ana jonë apo vetëm nga komisioni i projektuesve apo arkitektëve. Do të thotë se kemi të bëjmë me një procedurë e cila ka rezultuar me këtë projekt që e kemi sot dhe që mendojmë ta realizojmë në të ardhmen”, tha Sadriu.
Ndërsa sa i përket akuzave nga opinioni publik se projekti i xhamisë në fjalë ngjan me arkitekturën e shekullit të 15-të dhe me stilin e një xhamie në Turqi, Sadriu u shpreh se këto akuza janë tendencioze dhe kanë tendenca politike. Ai më tutje tha se arkitektura e kësaj xhamie është praktike dhe prezente në rajonin e Ballkanit duke theksuar se plani i xhamisë ka të bëjë me një stil tradicional i cili është prezente në kryeqytet dhe anembanë qyteteve të Ballkanit.
Ndërkaq, ditëve të fundit u lancua një peticion i nënshkruar nga 30 aktivistë të shoqërive civile për të vazhduar me nënshkrime online të qytetarëve në kundërshtim të ndërtimit të xhamisë në lokacionin e ndarë për këtë me arsyetim se kjo nuk ishte paraparë me planin rregullues për këtë lagje.
Lidhur me këtë peticion, Sadriu tha se sipas mendimit të BIK-ut, kjo tendencë ka të bëjë me instrumentalizimin e individëve nga shoqëria civile për shmangien e përgjegjësisë, dhe se ka tendencë të politizimit të kësaj çështjeje. Ai thekson se komuniteti islam ka një presion të vazhdueshëm nga qytetarët muslimanë, të cilët ankohen se detyrohen të falen nëpër rrugë, në trotuare kur bie shi, borë ose në vapë të madhe dhe është e drejta e tyre të kenë mundësinë të falen afër vendbanimeve të tyre.
Zëdhënësi i BIK-ut, Sadriu shton se në takimin e planifikuar të Kuvendit Komunal të Prishtinës që do të mbahet më 21 apo 25 korrik, ku do të diskutohet kjo çështje, BIK-u pret një vendim pozitiv nga ana e kuvendit dhe nuk dëshiron ta politizoj këtë çështje. Sadriu kujtoi se Myftiu i Republikës së Kosovës, Naim Tërnava pati deklaruar se Bashkësia Islame do të jetë e detyruar për të filluar ndërtimin e xhamisë edhe pa leje në qoftë se nuk merret ndonjë vendim.
Ndërsa, Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj), përmes një njoftimi ka shprehur shqetësimin rreth debatit për ndërtimin e Xhamisë qendrore të Prishtinës.
“KMDLNj e njeh të drejtën e peticionit si njërin nga mjetet demokratike me të cilin kundërshtohet apo përkrahet një iniciativë që shkon në dëm apo dobi të qytetarëve. Me peticionin e fundit po bëhen përjashtime në baza fetare, po shkelen të drejtat e një komuniteti fetar (shqiptarë të besimit islam, turq, goranë, boshnjakë, romë, ashkalinj dhe egjiptas – qytetarë të Kosovës) duke ua mohuar të drejtën elementare të ndërtimit të objekteve të kultit edhe në rast kur nuk janë në kundërshtim me ligjin. Llogaritet se afërsisht 85 për qind e qytetarëve të Kosovës janë të besimit islam andaj me këtë peticion i cili nuk ka asnjë bazë ligjore, njerëzore, morale dhe logjike po i bëhet një shërbim shumë i keq raporteve të mira ndërfetare që kanë qenë deri më tani në Kosovë”, thuhet në këtë njoftim.
Ukraina thotë se ka goditur një depo nafte dhe një stacion r...
Grafiti në “Car Lazar”, suspendohen gjashtë policisë për mos...
Aksidenti me fatalitet në Kaçanik, Policia jep detaje – ka r...
Kampusi i Kolegjit të Europës, Rama inspekton punimet
PDK dënon sulmin në Zveçan: Përpjekje e qartë për të frikësu...
Jep dorëheqje ministrja britanike e Transportit, kishte mash...