Valët e detit e nxjerrin drogën në plazhin italian

16:39 | 17 Korrik 2017
Arbresh.info

Deti i trazuar në Italinë fqinje ka nxjerrë në breg pako të mëdha droge të llojit marijuanë dhe hashash në disa prej brigjeve të zonës së Abrucos.

Pakoja e parë është vënë re nga disa karabinierë jashtë shërbimit në zonën e Frankavilës, në Kieti dhe rreth gjysmë km më tutje kanë qenë pushuesit ata që kanë zbuluar sasinë e madhe të drogës të ndarë në pako dhe të mbështjellë me qese të zeza.

Ndërkohë, në Montesilvano të Peskarës janë gjetur rreth 20 kg të nxjerra në breg dhe që iu dorëzuan menjëherë policisë. Në të njëjtën formë edhe në bregun e Silvit, në zonën e Teramos u gjet një tjetër sasi e konsiderueshme droge.

Sipas policisë, deri tani janë zbuluar mbi 100 kg drogë, por nuk përjashtohet mundësia që pako të tjera mund të dalin në breg gjatë orëve në vazhdim.

Sipas karabinierëve, vlera e sasisë së nxjerrë nga deti i kalon 350 mijë eurot, ndërkohë që kanë nisur hetimet ku dyshohet se droga e nxjerrë në breg mund të ketë qenë duke u transportuar drejt Italisë nga vendet e Europës lindore dhe deti i trazuar ka bërë që ngarkesa të përfundojë në ujë. /TopChannel/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme