Google ADS

Nitaj: Haradinaj s’po bën konsultime për numra

12:47 | 17 Korrik 2017
Arbresh.info

Koalicioni parazgjedhor, Partia Demokratike, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Nisma dhe i nominuari për kryeministër, Ramush Haradinaj, janë brenda afatit të tyre kushtetues e ligjor për krijimin e Qeverisë së Kosovës.

Zëdhënësi i AAK-së Muharrem Nitaj tha se presidenti i vendit në kuadër të kompetencave që ka, pritet që brenda afati ta thërrasë mbledhjen konstituive të Kuvendit dhe menjëherë pas kësaj të procedohet edhe me votimin e Qeverisë.

“Prandaj fushata e disa partive dhe individëve, me gjoja shtyrjen e seancës konstituive të Kuvendit, është e sajuar dhe që për qëllim ka ta vë në lajthitje e ta mashtrojë opinionin publik”, ka thënë Nitaj nëpërmjet një komunikate për media.

Sipas tij partnerët e koalicionit PAN, janë në fazën e konsultimeve me partnerët e mundshëm, jo për krijimin e numrave për të cilët po spekulohet skajshëm, por për krijimin e një baze më të gjerë politike qeverisëse, e që rezultati i këtyre konsultimeve do të dihet menjëherë pasi që Ramush Haradinaj, edhe zyrtarisht ta marrë mandatin për krijimin e qeverisë.

“Njoftimet e mediave që thirren në burime të pakonfirmuara duke përmendur emra të përveçëm të deputetëve që potencialisht do ta votonin Qeverinë Haradinaj, janë spekulime mediatike të sponsorizuara nga kundërshtarët politik të PAN-it, me qëllim stigmatizimin e deputetëve të caktuar dhe krijimin një një atmosfere konfliktuoze politike”, ka thënë Nitaj.

Sipas tij PAN dhe i nominuari për kryeministër Ramush Haradinaj, për çdo veprim në raport me krijimin e institucioneve të reja, do ta njoftojë me kohë opinionin publik, pa pasur nevojë që të spekulohet për këtë proces.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme