Google ADS

Rrëzimi i fluturimit MH17, burim i trishtimit për BE-në

09:19 | 17 Korrik 2017
arbresh.info

Tragjedia e fluturimit MH17, në të cilën kanë humbur shumë jetë, tre vjetë më parë,  mbetet një burim i vazhdueshëm brengësie dhe trishtimi për Bashkimin Evropian, shkruan arbresh.info.

“Sot, tre vjet pas rënies tragjike të fluturimit MH17 më 17 korrik 2014, Bashkimi Evropian dhe shtetet e tij anëtare përsërisin simpatinë dhe respektin e tyre më të thellë për të gjithë ata që humbën të dashurit e tyre atë ditë,” thuhet në deklaratën e Përfaqësueses së Lartë, Federica Mogherini, në emër të BE-së me rastin e përvjetorit të tretë të rrëzimit të fluturimit Malajzia Airlines MH17.

Bashkimi Evropian dhe shtetet e saj anëtare përsërisin mbështetjen e tyre të plotë ndaj punës së Ekipit të Përbashkët Hetimor dhe mirëpresim përparimin e rëndësishëm të bërë gjatë vitit të kaluar.

Ndërsa vazhdon puna e Ekipit të Përbashkët Hetimor sa i përket të dyshuarve individualë, sipas BE-së  është e rëndësishme që hetuesit të mund ta përfundojnë punën e tyre, në mënyrë tërësisht të pavarur.

“Ne mirëpresim hapat e ndërmarrë nga vendet e përfshira për të ardhur në një ndjekje penale efektive, si dhe vendimin e tyre për të zgjedhur sistemin holandez të drejtësisë kombëtare të ngulitur në bashkëpunimin ndërkombëtar dhe mbështetjen si një hap i rëndësishëm drejt sjelljes para drejtësisë të atyre që janë përgjegjës për rrëzimin e fluturimit MH17.”

Për këtë, sipas BE-së, hetimi penal ka nevojë për mbështetjen e vazhdueshme të bashkësisë ndërkombëtare.

“Ne presim që të gjitha shtetet që janë në gjendje të ndihmojnë hetimin dhe ndjekjen penale të atyre që janë përgjegjës, siç kërkohet nga Rezoluta e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara 2166.”

Mbi 2,000 veta do të mblidhen sot në Holandë, për të zbuluar një memorial për viktimat e fluturimit MH17.

Të 298 njerëzit në bord kanë vdekur, kur aeroplani i kompanisë Malaysia Airlines është qëlluar me një raketë, nga pjesa lindore e Ukrainës, më 17 korrik të vitit 2014.

Aeroplani ka qenë duke udhëtuar nga aeroporti Schiphol i Amsterdamit për në Kuala Lampur.

Shumica e viktimave kanë qenë holandezë, por ka pasur edhe shtetas të Australisë, Britanisë, Malajzisë dhe Indonezisë.

Familjarët do të lexojnë sot emrat e të 298 pasagjerëve dhe anëtarëve të ekuipazhit të vrarë në fatkeqësi.

Hetuesit holandezë kanë konstatuar në vitin 2015 se aeroplani është rrëzuar nga një raketë Buk, e bërë në Rusi.

Rusia i ka hedhur poshtë këto hetime.

/arbresh.info/

 

Të ngjashme