Google ADS

ATK: 70 mijë pliko me kuponë fiskal ende të pa verifikuara

10:23 | 16 Korrik 2017
Arbresh.info

Administrata Tatimore e Kosovës ka njoftuar vazhdimisht me kohë të gjithë qytetarët të cilët kanë dorëzuar plikot e tyre për rimbursim nga kuponët fiskal për tre mujorin e parë të këtij viti (TM1 2017), se verifikimi i plikove ende nuk ka përfunduar, pasi që interesimi i qytetarëve për të qenë pjesë e kampanjës edhe në këtë periudhë ka qenë tejet i madh.

Sipas të dhënave nga departamenti i Arkave Fiskale, është edhe një numër i konsiderueshëm i plikove të cilat janë në proces të verifikimit.

Zëdhënësja e ATK-së, Valentina-Bytyqi-Sefa në një përgjigje për ‘Indeksonline’ ka treguar edhe shifrat se sa është numri i atyre që ende nuk u janë rimburësuar mjetet në llogarit bankare për kuponët fiskal.

“Numri i plikove të qytetarëve që kanë mbetur pa u verifikuar per TM1 2017 është 70.000 pliko te pa verifikuara”, është shprehur ajo.

Mirëpo më tej ajo thotë se zyrtarët nga departamenti përkatës, janë duke punuar në vazhdimësi në mënyrë që të gjitha plikot e kësaj periudhe të përfundojnë sa më shpejt që është e mundur.

Ndërkaq, kujtojmë se ky institucion financiar për t’i informuar qytetarët në mënyrë më të mirë ka realizuar një modul me të cilën ata kanë mundësi të përcjellin plikot e tyre për gjithçka rreth kuponëve fiskal.

“Me qëllim që t’i mbajmë të informuar të gjithë qytetarët për gjendjen e plikos, nga muaji shkurt i këtij viti ATK ka zhvilluar një modul, përmes së cilit qytetarët mund të marrin përgjigje brenda një kohe të shkurtër, për gjendjen e plikos së tyre përmes sistemit në linkun https://kuponatfiskal.atk-ks.org/AplikimiStatusi për të gjitha pyetjet, duke filluar nga aplikimi, pranimi, verifikimi, rimbursimi dhe refuzimi (kthimet nga bankat gjatë vitit 2016) i plikove me kuponë fiskal”, ka thënë Bytyqi-Sefa.

Në fund ajo ka theksuar se i vetmi burim i sigurt i informacionit për gjendjen e plikos, është shfrytëzimi i këtij modul për përgjigje elektronike.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme