Google ADS

Gratë mund të parandalojnë ekstremizmin e dhunshëm

09:12 | 15 Korrik 2017
Arbresh.info

Roli dhe përfshirja e gruas në luftimin e ekstremizmit të dhunshëm është jashtëzakonisht i rëndësishëm. Njohësit e këtyre rrethanave thonë se gruaja, si shtyllë e familjes ka rëndësi të veçantë në arsimimin dhe edukimin e fëmijëve.

Rudinë Jakupi nga QKSS, tha se është jashtëzakonisht e rëndësishme që të kemi një gjithëpërfshirje në ndikimin e rolit të gruas në parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm.

“Është e rëndësishme që të fuqizohet roli i gruas, është jashtëzakonisht e rëndësishme që t’i ofrohet hapësira dhe mundësia fillimisht për ta ngrit problemin për të cilin gratë ballafaqohen me vite e vite dhe kështu konsiderojë se gjithëpërfshijra është jashtëzakonisht shumë e rëndësishme”, tha Jakupi në një prononcim për arbresh.info.
Besa Ismaili nga Bashkësia Islame e Kosovës, tha se pabarazia gjinore vërehet kudo në institucionet e Kosovës.
Ajo tha se në gjithë këtë pabarazi, pa drejtësi dhe të diskriminimit janë gratë ato që bëhen bashkë për të luftuar një të keqe që ju kanoset të gjitha grave.
“Hallka e shkëputur e pabarazisë gjinore është e vërejtshme kudo në institucionet e Kosovës, për shembull çka të them unë që vij nga një komunitet fetar, i cili ndodhet më dekada dhe me shekuj në margjina të margjinave të kësaj shoqërie, kur për shembull për këto gjëra ankohen gratë e nivelit të institucionit qendror, ato të sektorit të sigurisë, ato të pushtetit lokal.

Në tërë këtë gamë të pabarazive, të padrejtësive dhe të diskriminimit ne gratë mundohemi që të bashkohemi për të parandaluar një të keqe e cila na kanoset secilës”, tha Ismaili.

Taibe Canolli nga Policia e Kosovës, tha se Shoqata e Grave të Policisë së Kosovës është i vetmi mekanizëm i femrave që është partnere në implementim të strategjisë për parandalimin e ekstremizmin të dhunshëm dhe radikalizmit që shpije në terrorizëm.

Ajo bëri të ditur se nga 44 gra të përfshira në konfliktin e Sirisë, shtatë prej tyre janë kthyer në vend.
“Do të thotë se aktualisht numri i përafërt të përfshirë në konfliktin e Sirisë kemi diku 44 ferma apo gra, ku prej tyre 7 janë të kthyera. Ndërsa, po ashtu kemi edhe 37 fëmijë në zona të luftës momentalisht”, tha Canolli.

Gratë duhet të fuqizohen si aktiviste dhe lidere në komunitetin ku jetojnë meqë ato kanë lidhje të forta me fëmijët dhe anëtarët tjerë të familjes. Përmes fuqizimit të tyre, ato bëhen më të zëshme dhe mund të ndihmojnë në identifikimin e shenjave të para të radikalizmit./M.Avdimetaj/Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme