PAN-i dështon të bëjë qeverinë

14:54 | 14 Korrik 2017
arbresh.info

Koalicioni shumëpartiak i Partisë Demokratike të Kosovës, i ashtuquajturi PAN, që kandidatë për kryeministër ka liderin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka dështuar të sigurojë numrat për të marrë mandatin, ende para konstituimit të legjislaturës së ardhshme, për të udhëhequr me ekzekutivin.

Arbresh.info mëson se ky koalicion nuk e ka aspak të sigurtë edhe përkrahjen e minoriteteve.

Koalicioni PAN ka marrë 39 mandate në Kuvendin e Kosovës në zgjedhjet e parakohshme të 11 qershorit.

Burime të sigurta kanë bërë të ditur po ashtu, se PAN-i nuk ka arritur të bindë as edhe një deputet të koalicionit tjetër LDK-AKR-Alternativa, që në zgjedhjet për Kuvend të Kosovës ka marrë 29 mandate.

Gjatë ditës deputetë të këtij koalicioni kanë demantuar për arbresh.info zërat se ndonjë deputet i LAA mund të votojë qeverinë e Ramush Haradinajt.

Lëvizja Vetëvendosje në këto zgjedhje si partia e vetme me më së shumti deputetë, ka marrë besimin e qytetarëve për 32 mandate në legjislaturën e ardhshme.

Faktori ndërkombëtar vazhdon të bëjë thirrje për themelim të institucioneve pa vonesa për të vazhduar me proceset e lëna në gjysmë që nga shpërndarja e Kuvendit të Kosovës.

Kosova ende nuk e ka rishikuar buxhetin e këtij viti, gjë që lë pezull shumë projekte dhe iniciativa vendore dhe ndërkombëtare.

Ndër çështjet kryesore që e presin legjislaturën dhe qeverinë e ardhshme përveç buxhetit, janë edhe ratifikimi i Marrëveshjes që përcakton kufirin me Malin e Zi, dhe një  varg marrëveshjesh ndërkombëtare.

Vonesat rrezikojnë edhe miliona euro nga mos ratifikimi i Marrëveshjes për fondet IPA 2016./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme