Google ADS

Alarmi i Bankës së Shqipëri: Kujdes nga ky mashtrim financiar!

20:58 | 13 Korrik 2017
Arbresh.info

Kujdes nga monedhat virtuale si “BITCOIN”!  Alarmi vjen nga Banka e Shqipërisë, që paralajmëron që asnjë monedhë virtuale nuk njihet nga ky institucion dhe ligjet e vendit tonë.

“Banka e Shqipërisë nuk ka licencuar asnjë subjekt financiar në veprimtarinë e të cilit të përfshihet përdorimi i monedhave virtuale. Për rrjedhojë, çdo shoqëri e cila përfshihet në këtë aktivitet në Republikën e Shqipërisë nuk është e licencuar, e për rrjedhim aktiviteti i saj nuk i nënshtrohet kuadrit rregullues dhe atij mbikëqyrës nga ana e Bankës së Shqipërisë.

Si pasojë, në kushtet e mungesës së rregullave që do të disiplinonin aktivitetin financiar dhe mbikëqyrjen e tyre, veprimtaria e këtyre subjekteve karakterizohet nga një shkallë e konsiderueshme rreziku dhe pasigurie, pa garanci të plota për mbrojtjen e klientëve nga humbja në investim. Nisur nga ky këndvështrim, përfshirja e çdokujt në këtë lloj veprimtarie mbetet një veprim në përgjegjësinë individuale të çdo personi që e ndërmerr atë”, njofton BSH.

Rreziqet e përdorimit të parasë virtuale

Banka e Shqipërisë rendit rreziqet më kryesore që shoqërojnë përdorimin e monedhave virtuale:

Së pari, vlera e monedhave virtuale të tregtuara apo investuara në platformat përkatëse të këmbimit nuk është e garantuar dhe është mjaft e paqëndrueshme. Vlera e monedhave mund të manipulohet duke bërë që investuesi të përballet me një humbje të konsiderueshme jashtë kontrollit të tij. Gjithashtu, ka një mundësi të madhe që si pasojë e mungesës së likuiditetit të kundër palës, të mos mundësohet asnjëherë konvertimi i monedhës virtuale sërish në monedhë konvencionale (fiat).

Së dyti, këmbyesit e parasë virtuale janë shoqëri të panjohura, të parregulluara apo regjistruara në një juridiksion të caktuar. Për rrjedhojë, kushdo që investon paratë e tij në monedhë virtuale të këmbyera nga këto shoqëri, do të përballet me rrezikun e humbjes si rrjedhojë e problemeve të natyrave të ndryshme që ato mund të shfaqin.

Së treti, për sa kohë platformat janë vetëm virtuale dhe pa mundësi enkriptimi, ato janë mjaft të ekspozuara ndaj sulmeve kibernetike. Në këto kushte, investimi bëhet i pasigurt dhe ai mund të sulmohet në çdo kohë nga hackers dhe të humbasë përgjithmonë, pa pasur mundësi rikuperimi. Kjo, përsa kohë nuk ka asnjë mundësi mbulimi apo mbrojtjeje, siç është për shembull fondi i sigurimit të depozitave në banka.

Së katërti, për sa kohë investimi në këto monedha ka anonimat, ai mund të përdoret nga individë të caktuar edhe për të mundësuar aktivitete të jashtëligjshme si pastrim parash, financim terrorizmi apo kontrabandë mallrash të paligjshme.

Së pesti, me kërkesë të skemës së monedhës virtuale, nevojitet që personat të bëjnë identifikimin e tyre në platformat elektronike, si për shembull nëpërmjet skanimit të pasaportës, të retinës apo të gjurmëve të gishtërinjve. Aplikimi i këtyre mënyrave të identifikimit nga ana e programit (IT softëare) nuk janë subjekt i ligjeve dhe rregullave për mbrojtjen e të dhënave personale apo të standardeve të sigurisë. Për rrjedhojë, nuk ka asnjë garanci që këto kredenciale do të administrohen në mënyrë të sigurt për të shmangur vjedhjen apo keqpërdorimin e tyre.

BSH i bën apel publikut shqiptar: që të tregohet i matur dhe i përgjegjshëm në administrimin e kursimeve apo likuiditeteve të lira që zotëron. Ai duhet t’i orientojë investimet drejt produkteve dhe instrumenteve financiare të ofruara nga institucione të licencuara dhe të mbikëqyrura nga Banka e Shqipërisë dhe Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme