Ato që pak njerëz i dinë për Albert Kamy-në!

18:48 | 13 Korrik 2017
Arbresh.info

Albert Kamy është shkrimtar francez nga Algjeria, i lindur në nëntor të vitit 1913. Babai i tij ishte vrarë në luftën e parë botërore kur ky ishte veç një fëmijë. Nëna e tij, një grua me origjinë spanjolle, mezi arrinte të fitonte për familjen duke bërë punë pa kualifikime të duhura. Me pak fjalë fëmijërinë e kaloi në varfëri. Jeta në Algjer e bëri Kamynë më të ndjeshëm dhe kureshtar, shkruan arbresh.info.

Kamy filloi të shkruante që në moshë te re. Ai arriti t’i mbaronte studimet veç me ndihmën e bursave. Në Universitetin e Algjerit ai ishte një nga studentët më të mirë të filozofisë. Gjithmonë kishte qenë i interesuar  mbi kuptimin dhe vlerën e jetës dhe krahasimin e tyre me Helenizmin antik grek dhe besimin e krishterë. Për Kamynë thuhet që ka qenë edhe atlet. Një herë ishte pyetur nga një mik i tij Sartri, nëse preferonte futbollin apo teatrin dhe ai ishte përgjigjur “Futbollin, pa hezitim”. Kur ishte pyetur nga gazetarët e sportit për kohën kur mbronte portën e skuadrës algjeriane, ai kishte thënë: “Pas shumë vitesh, dhe shumë gjërash që kam parë, çka di me shumë siguri mbi moralitetin dhe detyrat e njerëzve, të gjitha ia kam borxh sportit, i kam mësuar në RUA”.

Gjatë studimeve, Kamy u mor edhe me teatër. Ishte në rolin e regjisorit dhe të aktorit. Dramat e tij më të famshme janë “Caligila”, “Le Malentendu”, “The Just Assassins”, “L’ état de siège” e të tjera.

Kamy punoi punë të ndryshme para se të bëhej gazetar në vitin 1938. Botimet e tij të para përfshijnë ese që për temë kanë kuptimin e jetës, gëzimet dhe kotësinë që na ndjek. Ese të tilla janë “Betwixt and Between” publikuar më 1937 dhe “Nuptials” publikuar më 1938.

Në suaza të përgjithshme veprat e Kamysë përfshijnë thyerje të traditës borgjeze. Në novelat e tij ai ishte më pak i interesuar në studimin e psikologjisë së mendjes dhe më shumë në çështjet filozofike. Kamy zhvilloi idenë e “absurdit” që sipas tij është hendeku mes dëshirës së njeriut për të gjetur lumturinë në një botë ku ai mund të kuptojë gjithçka në mënyrë racionale dhe botës reale e cila është e hutuar dhe e paarsyeshme.

“I huaji” është romani i tij i parë dhe është botuar më 1942. Është një vepër që koncentrohet në aspektet më negative të njeriut. Një vepër që simbolizon absurditetin e jetës. Efekti i absurdit hiperbolizohet qëllimisht për të krijuar një atmosferë sa më të zymtë brenda veprës.

Më vonë, për shkak të pamundësisë së punësimit dhe luftës së dytë botërore, ai u kthye në Algjer më 1941 dhe shkroi “Miti i Sizifit” i cili u botua në të njëjtin vit me “I huaji”. Pas vitit  1942 Kamy kthehet prapë në Francë dhe i bashkohet rezistencës së gazetarëve deri në vitin 1944 kur bëhet kryeredaktor i revistës “Combat” për tri vite rresht. Gjithashtu gjatë kësaj periudhe ai shkruan edhe vepra të tjera si: Le Malentendu më 1944 dhe Caligula më 1945. Prapë me temë mbi kotësinë e jetës dhe fatalitetin e vdekjes. Nuk duhet të harrohet asnjëherë që Kamy merrej edhe me dramaturgji. Deri atëherë kishte shkruar disa drama dhe i kishte kthyer në dramë disa vepra të shkrimtarëve të tij të preferuar. Ishte tamam dramaturgjia fusha ku Kamy ndihej më i suksesshëm dhe më pak “i huaj”.

Ndër veprat e fundit të shkruara janë “Murtaja” dhe “Rebeli”. Te “Murtaja”, për të vetmen herë Kamyja fokusohet në anët pozitive të njeriut. Prapë i qaset temës së preferuar të absurdit ku tregon se njeriu nuk mund ta pranojë mungesën e shpresës pa luftuar. Narratori këtu tregon përpjekjen e tij për ta luftuar sëmundjen që po përhapet. Tregon për sfidat njerëzore kundër vuajtjes dhe të ligës si sfidat kryesore të njeriut.

Kurse “Rebeli” është një tjetër ese me qasje filozofike dhe politike. Kjo vepër tregon që njeriu nuk duhet ta durojë të paarsyeshmen e botës dhe në të njëjtën kohë të bëjë dallime mes nocioneve “revoltë” dhe “revolucion”. Këtu mbështet idenë që qëllimi nuk mund ta arsyetojë metodën.

Në vitin 1957 Kamy e merr çmimin Nobel në Letërsi pasi ishte nominuar dy herë (më 1949 dhe 1950). Sipas akademisë ai shpërblehet për veprat të cilat me zell ndriçojnë sado pak problemet e ndërgjegjes njerëzore.

Kamy vdes në vitin 1960 pasi makina sportive përplaset për një pemë, në moshën katërdhjetë e dy vjeçare./Arbresh.info/

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme