“Sheikët e naftës” kapen nga shteti, bllokohen 20 maune me derivate jocilësore

15:18 | 13 Korrik 2017
L G

Vetëm 2 muaj pasi Dogana e Kosovës mori përsipër kontrollin e naftës në kufi, u konfirmua se në Kosovë është duke hyrë naftë jocilësore.

Këtë javë dhjetëra maune me naftë janë ndaluar në pikën kufitare në Vërmicë nga Dogana e Kosovës për shkak të dyshimeve për cilësi të dobët të derivateve.

Sipas Doganave të Kosovës, aktualisht janë gjithsej 20 maune që po qëndrojnë në terminalin e Doganës.

Kjo është sasia më e madhe e naftës e bllokuar ndonjëherë dhe vjen pas vendimit të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë që kontrolli i naftës të bëhet edhe në kufi, e jo siç ka qenë deri tash, ku mostrat janë marrë vetëm nëpër pikat e shitjes.

Prej 15 mostrave të marra nga këto maune, të cilat Dogana i ka dërguar nëpër laboratorë privat për analizë, asnjëra prej tyre nuk ka dal në rregull.

Këtë e ka konfirmuar për Gazetën Fjala vetë kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjani.

“Me rastin e kontrollimit të cilësisë të karburanteve janë bllokuar mbi 30 maune nga Dogana e Kosovës. Për kontrollimin e cilësisë janë marr mostrat dhe janë dërguar në laboratorin e Doganës dhe dy laborator tjerë vendor të autorizuar nga MTI-ja Sierra Lab dhe Kosova Lab, ku kanë dal mbi 20 mostra (testime) jo konform rregullave”, ka konfirmuar Berjani për Gazetën Fjala.

Kryetari i naftëtarëve thotë se Dogana ka kryer punë të mirë dhe ka hedhur fajin tek importuesit që po fusin naftë jo cilësore në Kosovë.

Sipas tij, sikur kjo sasi e naftës që ka dal jo cilësore të kishte hyrë në Kosovë, do të ishte shpërndarë nëpër pikat e shitjes, ku me rastin e monitorimit nga MTI pikat e shitjes do të gjobiteshin me nga 10 mijë euro, pa fajin e tyre.

“Kjo i bie që derivatet nuk po përzihen në pika karburantit, por po importohet naftë jocilësore”, ka thënë Berjani, duke e hedhur fajin tek importuesit.

Dogana: Nafta e ndaluar është jashtë parametrave

Edhe nga Dogana e Kosovës e kanë konfirmuar se ka disa ditë që dhjetëra maune janë ndaluar pasi u gjetë se nafta ishte jashtë parametrave.

Megjithatë ndryshe nga kreu i naftëtarëve, i cili thotë se bëhet fjalë për 30 maune, zëdhënësi i Doganave të Kosovës, Adriatik Stavileci, thotë se bëhet fjalë për 20 sosh.

Sipas Stavilecit, Dogana pas marrjes së përgjegjësisë sipas udhëzimit 01/2017 të MTI-së ka aplikuar sistemin e kontrolleve të bazuara në analizat e riskut.

“Derisa rasti që ju i referoheni është i ndërlidhur me tejkalimin e parametrave të lejuar për disa dërgesa te naftës, gjithsesi se me duhet te theksoj se sipas analizave tejkalimi i parametrave është 0.01 % me shume se vlerat e lejuara. Gjithsesi pasi dallimi është shume i ulet prandaj edhe janë dërguar edhe një herë për super analizë. Mbi 20 autobote për momentin janë nën mbikëqyrje doganore”, ka thënë Stavileci.

Ai nuk ka përmendur emrat e kompanive, por ka thënë se ka disa kompani pasi kanë të njëjtin furnizues.

Stavileci nuk ka treguar as për rezultatet e analizave shtesë, për të cilat kreu i Shoqatës së Naftëtarëve thotë se kanë dal të gjitha keq.

“Sidoqoftë ende nuk mund të themi se cilat janë pasi që mostrat janë dërguar prapë për super analizë në një laborator jashtë Kosovës, prandaj edhe publikimi i emrave do të nënkuptonte paragjykim”, ka thënë ai.

Importuesit mirëpresin aksionin e Doganave

Ndërkohë Gazeta Fjala ka kontaktuar me disa prej importuesve në Kosovë, lidhur me aksionin e fundit të Doganave.

Disa e mirëpresin punën e Doganave, por ka edhe prej tyre që dyshojnë në profesionalizmin e tyre.

Ibrahim Bucaliu nga “HIB Petrol”, thotë se vazhdimisht kanë kërkuar që të ketë kontroll të cilësisë.

“Ne vazhdimisht kemi kërkuar që të vendoset kontrolli në sektorin e naftës. Shpresojmë që kësaj radhe të funksionojë”, ka thënë Bucaliu.

Ajo që duhet të bëhet me urgjencë për sektorin është miratimi i Ligjit për naftën, i cili për Bucaliun po neglizhohet për shkak të disa interesave personale, qoftë të naftëtarëve, qoftë nga politika. Këtu Bucaliu ka përmendur kreun e Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjanin, për të cilin thotë se nuk i përfaqëson as 10 për qind të naftëtarëve.

“Shoqata e naftëtarëve me kryetarin e saj janë bërë pengesë për reforma në sektor”, ka thënë Bucaliu.

Ndërkaq Raif Gashi nga “Lab Oil” e ka quajtur procedurë deri diku normale aksionin e Doganave, por ka thënë se dyshon në profesionalizmin e tyre.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme