Berisha: Jam oferta më serioze për Prizrenin

08:49 | 13 Korrik 2017
M. A.

Zafir Berisha nga NISMA për Kosovën ka konfirmuar se do të kandidojë për kryetar të Prizrenit në zgjedhjet lokale të tetorit, madje ka thënë se ai është oferta më serioze për këtë qytet.

“Prej shtatorit po përgatitem, këto ditë po përgatisim platformën zgjedhore dhe listën e kandidatëve për asamblistë”, tha Berisha në Ballë për Ballë të Klan Kosovës.

“Jam i përgatitur, më shumë se asnjëherë që t’i futem garës, kësaj radhe me mbështetjen e qytetarëve do t’i japim fund keqqeverisjes në vend”.

Berisha premtoi se do t’ia kthejë identitetin qytetit të Prizrenit i cili sipas tij është nëpërkëmbur nga kjo garniturë politike.

Ndonëse partia në të cilën ai bën pjesë ka hyrë në koalicion me Partinë Demokratike të Kosovës, ai tha se vazhdon t’i qëndrojë prapa kritikave ndaj kësaj partie dhe kryetarit aktual të Prizrenit, Ramadan Mujës, duke thënë se nuk ka lëvizur nga ato fjalë.

“Nuk kam lëvizur nga ato fjalë, hajduti është hajdut”, tha Berisha.

“Ramadan Muja me bandën e vet, gjatë gjithë mandatit ka qenë nëpër gjykata. A mund të them që nuk ka qenë?”, shtoi ai.

Edhe vëlla ta kem, ajo që është, është. Nuk mund t’i ndryshojmë qëndrimet, mendimet dhe opinionet sipas shijes së politikës ditore”.

Ai tha që pa diskutim, në bazë të opinionit që e ka marrë dhe në bazë të punës së ekipit që ai ka, Berisha beson se është oferta më serioze për qytetin e Prizrenit.

“Nuk shoh konkurrent”, tha Berisha duke shtuar se me gjuhën e argumenteve, fakteve dhe programeve të kapshme e konkrete do të prezantohet në zgjedhjet lokale.

“Kësaj radhe do të triumfojë NISMA për Kosovën në Prizren”, përfundoi ai.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme